Aktualitet Policia greke: 1.6 ton drogë e kapur, 6 shqiptarë të arrestuar

Policia greke: 1.6 ton drogë e kapur, 6 shqiptarë të arrestuar

Policia greke ka dhënë të dielën detaje për operacionin anti-drogë gjatë të cilit u kapën 1.6 tonë drogë dhe u arrestuan 10 persona, mes të cilëve 6 shqiptarë.

Në një deklaratë për shtyp, policia helene tha se janë sekuestruar 1.6 ton marijuanë, ndërsa në zona të ndryshme të Athinës 10 pjesëtarë të organizatës ndërkombëtare të drogës.

Në operacion për kapjen e skafit me drogë nga Shqipëria morën pjesë skafe të policisë, një avion i FRONTEX, një helikopter dhe snajperistë.

Policia pikasi gomonen teksa hyri ne territorin shqiptar, u ngarkua dhe në kthim, me tu rifutur në ujërat greke nisi ndjekja.

Sipas policisë, trafikantet hapën zjarr ndaj një skafi të policisë greke, i cili u kundërpërgjigj, por disa policë ranë në det duke u plagosur.

Gomonia u arrit të ndalohej midis Makronisit dhe ishullit Kea pas goditjes nga snajperistët që ndodheshin në helikopter.

Teksa në gomone u arrestuan 2 shqiptarë dhe një italian, në kryeqytetin Athinë u arrestuan 4 shqiptarë të tjerë, 1 italian, 1 bullgar dhe 1 grek.

Sipas policisë greke trafikantët kanë hedhur në det një sasi të konsiderueshme droge dhe armë.