Politika Policia i arreston djalin pas protestës, shpërthen ish-deputeti

Policia i arreston djalin pas protestës, shpërthen ish-deputeti

Pak orë pas mbylljes, policia ka nisur shoqërimin e personave që kanë marrë pjesë në protestën e sotme të opozitës së bashkuar, kryesisht ata që ushtruan dhunë përpara Parlamentit, duke goditur me gurë dhe sende të forta efektivët.

Uniformat blu kanë shoqëruar në komisariate disa persona, mes tyre edhe djalin i kreut të Partisë Demokratike, në Fier, Luan Baçit, Bruno Baçi.

Në videon e shprëndarë nga Partia Demokratike shihen disa makina policie dhe dhjetëra efektivë që kanë kapur nga krahët djalin e Baçit, në zonën pranë fakultetit të Shkencave Sociale dhe përpiqen ta fusin në automjet. Por, ish-deputeti shihet i nervozuar dhe kërkon lirimin e djalit, duke thënë se do të futet ai në makinë.

“Çuna mos u trembni se këta janë legenë. E keni personale me mua. Mbajeni mend se çfarë do t’ju bëj, kaq po ju them”, thotë Luan Baçi.

Ndërkohë, në reagimin zyrtar të PD-së thuhet se djali i kryetarit të PD-së në Fier është dhunuar në shenjë hakmarrje nga Edi Rama për protestat e pak ditëve më parë.

“Edi Rama hakmerret ndaj Fierit. I dhunon djalin dhe ndalon Kryetarin e PD Fier, ish deputetin Luan Baci”, shprehet PD.

Ndryshe nga protesta e 16 Shkurtit, kur policisë iu desh pak më shumë kohë për të analizuar aktet e dhunës përpara godinës së Kryeministrisë, kësaj here uniformat blu duket se kanë nisur menjëherë shoqërimin në komisariat të protestuesve të dyshuar për akte dhune.