Aktualitet Policia identifikon të dyshuarin për vrasjen e Vilson Tafçiut

Policia identifikon të dyshuarin për vrasjen e Vilson Tafçiut

Identifikohet dhe shpallet në kërkim i dyshuari për vrasjen e Vilson Tafçiut mbrëmjen e kaluar, në zonën e “Astirit” në Tiranë.

Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim shtetasin me inicialet N.D, i cili është identifikuar nga kamerat e sigurisë.

Policia ka kontrolluar banesën e personit në fjalë mbrëmjen e kaluar, por ai nuk është gjetur.

28-vjeçari Vilson Tafçiu kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga Franca dhe mbrëmjen e kaluar po konsumonte kafe në një lokal të njohur në zonën e Astirit me dy vajza, kur dikush e thirri dhe i kërkoi të dilte jashtë se e kërkonin.

Tafçiu është qëlluar me një plumb në zemër nga një distancë e afërt dhe ka ndërruar jetë në vend.

Kamerat e sigurisë kanë kapur dy automjete duke u larguar me shpejtësi. Policia ka ndaluar drejtuesin e njërës prej makinave, i cili është marrë në pyetje, por ka rezultuar se nuk kishte lidhje me ngjarjen, por se ishte larguar nga frika. Më pas janë vënë në kërkim të drejtuesit të automjetit tjetër.

Tafçiu rezulton se ka shkuar në Francë më 7 mars 2018 dhe vetëm një javë më pas, më 12 mars, është arrestuar për shpërndarje të lëndëve narkotike. Autoritetet franceze e kanë dënuar me një vit burg, prej ku ka bërë 8 muaj paraburgim dhe më 6 nëntor 2018 është deportuar në Shqipëri.