Bota Policia italiane dhe FBI-ja, operacion i përbashkët kundër Cosa Nostra-s: Në shënjestër...

Policia italiane dhe FBI-ja, operacion i përbashkët kundër Cosa Nostra-s: Në shënjestër familja Gambino

Policia italiane dhe FBI-ja kryen të mërkurën një operacion të përbashkët në shkallë të gjerë që përfshinte më shumë se 200 oficerë policie, pas hetimeve në të cilat u zbuluan lidhje midis Cosa Nostra-s së Sicilisë dhe familjes së krimit Gambino të Nju Jorkut.

Hetimi i koduar “New Connection” fliste për një lidhje të fortë të rivendosur në mes të krimit të organizuar amerikan dhe atij italian. Gjatë operacionit u arrestuan 19 persona.

Operacioni ndërmjet policisë së Italisë dhe FBI-së filloi të mërkurën në mëngjes dhe kishte në shënjestër klanin Inzerillo në kryeqytetin siçilian Palermo dhe familjen e krimit Gambino në Nju Jork.

Të dyshuarit akuzohen për krime përfshirë aktivitete mafioze, shantazhe për të nxjerrë para dhe mashtrime.

Familja Inzerillo ishte dëmtuar mjaft nga bosi i bosave Toto Riina në një luftë mes klaneve mafioze në vitet 1980 dhe ishte detyruar të mërgonte në Shtetet e Bashkuara. Por që nga viti 2000, dhe me vdekjen e Riinës në burg në vitin 2017, familja Inzerillo kishte kërkuar të rimerrte biznesin e saj të vjetër në Siçili, e ndihmuar nga aleatë të fuqishëm në Nju Jork.

Policia bëri përgjime të anëtarëve të familjes Inzerillo duke zbuluar lidhje të forta mes Cosa Nostra-s në Siçili dhe krimit të organizuar në Nju Jork. Aktivitetet e tyre përfshinin një gamë të gjerë biznesesh, si furnizimet ushqimore me shumicë, lojërat e fatit dhe bastet në internet.

Anëtarët e familjes Inzerillo kishin rindërtuar kështjellën e tyre në zonën e Palermos në Passo di Rignano. Ndër të arrestuarit ishin Francesco dhe Tommaso Inzerillo, përkatësisht vëllai dhe kushëri i Totuccio Inzerillos, një ish-bos i vrarë nga grupi Corleonesi i Riinas në vitet 1980.

Kryebashkiaku i Torretta-s, Salvatore Gambino, u arrestua gjithashtu me akuzën e pjesëmarrjes në veprimtari mafioze. Operacioni përfshinte edhe sekuestrimin e pasurive, me vlerë rreth 3 milionë euro, që u përkisnin të dyshuarve.