Aktualitet Policia: Oraret në mëngjes e pasdite nuk janë për lëvizjen e lirë...

Policia: Oraret në mëngjes e pasdite nuk janë për lëvizjen e lirë të qytetarëve me makinë

Policia e Shtetit nëpërmjet një njoftimi për shtyp ka dhënë sqarime për të gjithë rrugën që duhet të ndjekin qytetaret dhe bizneset që duhen të akreditojnë mjete për lëvizje në fashot e orarit të mëngjesit dhe të pasdites vetëm për vajtje ardhje në punë.

“Të gjithë pronarët e bizneseve prodhuese apo ata që ofrojnë shërbime për qytetarët, të cilët duan të akreditojnë automjetet për lëvizje personeli apo mallra brenda qarkut, të mos dërgojnë email në adresën [email protected] dhe as të mos telefonojnë në dy numrat e dedikuar, por t’i drejtohen Sektorit të Policisë Rrugore të qarkut ku kanë vendbanimin dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre. Ndërsa ata pronarë apo administratorë që kanë aktivitet/biznes edhe jashtë qarkut, si dhe ata që banojnë në qarkun Tiranë, të vazhdojnë të bëjnë kërkesa për akreditim nëpërmjet email-it [email protected] dhe dy numrave të dedikuar”.

Policia sqaron se dy oraret e lëvizjes, nga ora 06:00 deri në 08:00 në mëngjes dhe pastaj nga ora 16:00 deri në 17:00 pasdite nuk është për lëvizjen e lirë të qytetareve.

“Orari i lëvizjes 06:00 deri 08:00 dhe në mbasdite 16:00 deri në 17:00 nuk është për lëvizjen e lirë të qytetarëve, por për personelin/ punonjësit e ndërmarrjeve prodhuese, të cilët do lejohen të kenë aktivitet, sipas konfirmimeve të bëra nga Policia e Shtetit, si dhe për punonjësit e institucioneve shtetërore të pajisur me dokument identifikimi të institucionit. Në këto orare nuk do lejohet lëvizja e lirë e qytetarëve me automjete private. Punonjësit e Policisë së Shtetit, ata të Policisë së Burgjeve, të SHPSF-ve, personeli shëndetësor dhe gazetarët lejohen të qarkullojnë në oraret e ndërrimit të turneve, duke patur me vete dokumentim e lëshuar nga institucioni ku punojnë”.

Përjashtimi i vetëm për lëvizje gjatë ditës bëhet për disa kategori të veçante, sidomos për firmat prodhuese dhe furnizuese, furgona, kamionçina dhe kamionë.

“Automjetet e firmave prodhuese dhe furnizuese, kadet, furgonçinat, kamionçinat dhe kamionët lejohen të lëvizin në çdo moment, por duke argumentuar lëvizjen me faturat e shpërndarjes së mallit apo të furnizimit me mall. Për urgjenca mjekësore, personat të telefonojnë në numrin 129/112 dhe në dy numrat e dedikuar, duke bërë prezent problemin për lëvizjen që kërkojnë. Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve që nuk janë të përfshirë në listën që u lejohet të qarkullojnë, të respektojnë me rigorozitet kufizimet dhe të mos dalin në qarkullim, pasi dalja i penalizon me 3 vjet të heqjes së Lejes së Drejtimit”.