Sport Policia shpëtoi Eros Grezdën, sherri mund të shkonte më keq

Policia shpëtoi Eros Grezdën, sherri mund të shkonte më keq

Rijeka kaloi në finalen e kupës pas fitores me dramë ndaj Osijekut të Eros Grezdës. Ndeshja nuk kaloi pa zhurmë, pasi futbollistët e Osijekut dolën shumë të pakënaqur nga vendimet e gjyqtarit të ndeshjes Igor Pajac.

Në fund të ndeshjes pati përplasje mes lojtarëve për shkak të nervozizmit, ndërsa delegati i ndeshjes, Iva Smokrovic, shënoi dhe një sulm fizik ndaj lojtarëve të Rijekës me protagonist shqiptarin Eros Grezda.

Shqiptari u sulmua nga Antonio Colak në fushë, por duket se gjakovari donte të lante hesapet dhe pas ndeshjes. Shqiptari e goditi futbollistin në kokë dhe duhej ndërhyrja e policisë për të qetësuar gjakrat.

Pas kësaj ngjarjeje të shëmtuar Grezda ka reaguar në faqen e klubit të tij Osijek duke shpjeguar arsyet e veprimeve të tija që sollën një dhunë të paprecedentë mes futbollistëve të dy skuadrave. Grezda akuzon sulmuesin e Rijekas Colak se para, gjatë dhe pas ndeshjes e ka fyer në aspektin personal dhe atë kombëtar.

“Më vjen shumë keq që u gjenda në qendër të vëmendjes së mediave, sidomos për kontekstin e çdo gjëje që ka ndodhur përpara dhe gjatë ndeshjes me Rijekan. Të gjithë ne ishim të zhgënjyer nga fakti se si sportistë u dëmtuam gjatë takimit dhe na u mohua fitorja, të cilës i ishim pranë. Nuk është e lehtë për ne të durojmë padrejtësinë në fushë dhe të qëndrojmë të qetë, sidomos kur dikush na fyen. Kur vjen puna te fyerjet e rënda në aspekt personal dhe kombëtar, qoftë si njeri, qoftë si sportist jam shumë i ndjeshëm. E gjitha kjo ndodhi jo vetëm gjatë ndeshjes, por dhe pas saj. Unë po qëndroja përpara autobusit të skuadrës sime dhe sulmuesi rival Colak po kalonte para meje në mënyrë provokuese. Jam përballur me provokimet e tij gjatë gjithë ndeshjes. Jetoj për shumë vite në Kroaci. I përmbush detyrimet e mia si qytetar dhe i paguaj taksat dhe nuk e meritoj që dikush të më fyejë për ndjenja kombëtare. Do të marr të gjitha hapat ligjor për të mbrojtur veten dhe nderin tim”, shprehet Grezda pas ngjarjes së ndodhur.

Me grushtin që i dha rivalit të tij, Eros Grezda rrezikon të dënohet nga 2 deri në 6 ndeshje nga komisioni i Etikës në Federatën Kroate të Futbolli, por në rast se gjesti i tij cilësohet i rrezikshëm, shqiptari mund të pezullohet për 6 muaj nga futbolli.