Politika Politika uron bektashinjtë për Sulltan Nevruzin, Baba Mondi: Ta kalojmë sa më...

Politika uron bektashinjtë për Sulltan Nevruzin, Baba Mondi: Ta kalojmë sa më lehtë këtë situatë

Liderët politikë kanë uruar të gjithë besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Nevruzit. I pari ishte presidenti Ilir Meta, i cili nënvizoi se shqiptarët po festojnë në “ditë të vështira, por në një ditë që simbolizon lindjen e shpresës e rigjallërimit të natyrës”.

Për kreun e Parlamentit, Gramoz Ruçi, “shpresa dhe sakrifica sot kanë vlerë më tepër se kurrë”, duke shtuar se “sot e drejta për të jetuar përmban dhe imponon detyrime e solidaritet nga të gjithë qytetarët, kudo në botë. qofshin të bekuar mjekët, gladiatorët e mbrojtjes së jetëve tona”.

Lideri demokrat Lulzim Basha, duke uruar besimtarët shton se “me forcën që na ka bërë të pamposhtur në historinë tonë dhe besimin në Zot, do ta kalojmë këtë sfidë!”, duke iu referuar përhapjes së koronavirusit.

Për pandeminë foli edhe kryegjyshi botëror i bektashinjve, Baba Mondi. “Sulltan Nevruzi të na sjellë paqe dhe begati, shpresojmë ta kalojmë sa më lehte këtë situatë, çdo humbje jete na trishton. Jemi të ndarë fizikisht, por jemi bashkë shpirtërisht”, tha ai gjatë fjalimit të tij në Kryegjyshatë.