Bota Politikanë, oligarkë dhe pronarë mediash bullgarë shpallen non grata nga SHBA

Politikanë, oligarkë dhe pronarë mediash bullgarë shpallen non grata nga SHBA

Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli “të korruptuar” dhe u ndaloi hyrjen në SHBA pesë shtetas bullgarë, ish zyrtarë apo zyrtarë, përfshirë një pronar mediaje dhe një oligark. Paralelisht, Departamenti i Thesarit shënjestroi 64 kompani të lidhura me oligarkët me sanksione.

Nga Gjergj Erebara / BIRN

Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli si “të korruptuar” dhe u ndaloi hyrjen pesë politikanëve të rëndësishëm bullgarë dhe familjeve të tyre duke zgjeruar në këtë mënyrë përdorimin e këtij mekanizmi në luftën kundër korrupsionit në vendet aleate.

DASH e përdori shpalljen “të korruptuar” për herë të parë kundër Adriatik Llallës në vitin 2018, ndërsa Sali Berisha, ish-kryeministër dhe ish-president, i shpall javën e kaluar, politikani më i lartë deri më sot që bie nën shënjestrën e amerikanëve. DASH ka shpallur gjithashtu emërtimin si të korruptuar të politikanëve Tom Doshin dhe Vangjush Dakon, krahas politikanëve të ndryshëm nëpër botë.

Por larmishmëria e politikanëve dhe biznesmenëve bullgarë të shpallur të tillë të mërkurën i jep një kontekst të ri luftës së administratës Biden kundër korrupsionit.

Krahas Departamentit të Shtetit, ishte Departamenti i Thesarit që shënjestroi oligarkët dhe kompanitë e tyre me sanksione.

“Sot ne po shpallim emërtimin publik të ish-zyrtarëve bullgarë Alexander Manolev, Petar Haralampiev, Krasimir Tomov, dhe Delyan Slavchev Peevski, dhe zyrtarit aktual bullgar Ilko Dimitrov Zhelyazkov, për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion madhor,” thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit të publikuar online.

“Në pozicionet e tyre zyrtare si zëvendësministër i Ekonomisë, Drejtor i Agjencisë Shtetërore për Bullgarët Jashtë Vendit, dhe Kryesekretar i Agjencisë Shtetërore për Bullgarët jashtë vendit respektivisht, Manolev, Haralampiev, dhe Tomov janë përfshirë në akte korruptive që minojnë shtetin e së drejtës dhe besimin e publikut të Bullgarisë në institucionet demokratike dhe në proceset publike, përfshirë përmes përdorimit të ndikimit të tyre dhe pushtetit zyrtar në përfitim personal,” thuhet në njoftim. “Në pozicionin e tij si anëtar i parlamentit, Peevski ka përdorur Zhelyazkov, një zyrtar i Byrosë Kombëtare për Kontrollin e Mjeteve të Grumbullimit të Informacionit si ndërmjetës dhe bashkëfajtor për të ushtruar ndikim dhe për të paguar ryshfet me qëllim që të mbronte veten nga kontrolli publik dhe të ushtronte ndikim mbi institucionet dhe sektorët kyçë të shoqërisë së Bullgarisë,” vijon më tej njoftimi.

Administrata e presidentit Joe Biden ka shpallur luftën kundër korrupsionit një objektiv madhor të saj, ndërsa në rastin e Bullgarisë janë vendosur nën sanksione jo vetëm politikanë, por edhe biznesmenë dhe kompani nën pronësinë e këtyre biznesmenëve.

Vassil Bojkov ka nofkën “Kafka” dhe është i njohur si një oligark me interesa në industrinë e bixhozit, në shërbime financiare dhe në futboll. Ai është arratisur nga Bullgaria vitin e kaluar dhe ka shpallur plane për krijim partie politike. Departamenti i Shtetit vendosi nën sanksione 64 kompani nën pronësinë e plotë apo të pjesshme të tij.

Sipas Departamentit të Thesarit ai është “biznesmen dhe oligark” dhe ai “ka kaparosur zyrtarë të qeverisë bullgare në shumë raste”.

Bojkov është “një person që ka ndihmuar materialisht, sponsorizuar apo ofruar mbështetje financiare, materiale apo teknologjike, apo mallra dhe shërbime në ose për mbështetje të korrupsionit, përfshirë përvetësim të aseteve publike, shpronësim të aseteve private për përfitime personale, si dhe për korrupsion në lidhje me kontratat e qeverisë për shfrytëzimin e burimeve natyrore”.

Delyan Peevski, biznesmen, pronar mediash dhe politikan, ishte figura tjetër e etiketuar si i korruptuar. Ai është pronari i një morie mediash në Bullgari, përfshirë shumë gazeta, të cilat besohet se i përdor në shërbim të politikanëve apo për shantazh.

Sipas Departamentit të Thesarit, në vitin 2019 ai “negocioi me politikanët për t’i ofruar atyre mbështetje dhe raportim pozitiv mediatik në shkëmbim të mbrojtjes nga hetimet penale.” Peevski akuzohet gjithashtu se përmes Zhelyazkovit ka emërtuar persona në pozicione shtetërore, të cilët ishin njëkohësisht nën pagesa mujore prej tij.

Sanksionet e Departamentit të Thesarit përfshijnë ndalimin e të gjithë kompanive dhe individëve amerikanë nga hyrja në marrëdhënie biznesi me kompanitë e sanksionuara.