Bota Polonia do të kthejë stadiumin në një spital për pacientët me koronavirus

Polonia do të kthejë stadiumin në një spital për pacientët me koronavirus

Qeveria polake ka nisur shndërrimin e stadiumit Narodowy në Varshavë në spitalin e parë fushor të vendit për pacientët me Covid-19.

“Punimet e para filluan të shtunën”, njoftoi qeveria në një postim në Twitter, të hënën.

Spitali do të vendoset në sallat e konferencave të stadiumit dhe do të ketë një kapacitet fillestar prej 500 pacientësh me koronavirus.

Sipas qeverisë, kapaciteti mund të zgjerohet në një maksimum prej 1000 shtretërish.

Polonia raportoi, të premten, 132 viktima nga Covid-19, shifra më e lartë ditore që nga fillimi i pandemisë. Vendi regjistron 175,766 raste dhe 3,573 vdekje në total, sipas shifrave nga Universiteti Johns Hopkins.