Opinione Popull psikik

Popull psikik

Nga Leonard Veizi

“Të marrit hapi rrugë” thotë një shprehje e urtë popullore.

Me siguri, nëse çdo njeri normal do t’i hapte rrugën një të marri, tek ne rrugët do të ishin thuajse bosh. Por nuk ndodh kjo. Ne jemi nga ata që të bllokojmë rrugën, jo ta hapim. I marrë ti, i marrë dhe unë.

Bo, bo… sa probleme kemi me psikikën tonë.

Çdo ditë, çdo orë, çdo sekondë madje…

Ç’është e vërteta, ne jemi nga ata popuj që nuk duam të humbasim kohë. Edhe kapitalizmin pas komunizmit e kemi kuptuar ashtu siç duhet. Ti marrim gjithçka, deri në palcë.

Sa çohemi, pa larë fytyrën e dhëmbët, madje pa ndezur as cigaren esëll të cilën e kemi më të domosdoshme se buka, marrim celularin në dorë. Duhet të njihemi me të rejat që kanë ndodhur gjatë 7-8 orëve ku ishim zhytur në “gjumë artilerie”. Në makinë, në zyrë, në kafe, e në çdo front pune, procedura vazhdon po njëlloj. Në çdo semafor ku të duhet të qëndrosh ca sekonda, si shofer apo këmbësor, lëviz kursorin dhe dërgon sms-të e rastit. Koha është e çmuar, flori fare, ndaj nuk duhet humbur. Përfundimisht një gjë të tillë e kemi kuptuar më mirë se kushdo tjetër.

Por, a ka të bëjë kjo me psikikën tonë që po na dëmtohet çdo ditë?

Duhet të jemi vërtetë popull psikik. Ose përndryshe: me probleme të theksuara të shëndetit mendor.

Ndoshta jemi thjesht të paedukuar dhe e shumëzojmë për 10-të.

Por jo… me ç’shoh, është më e thellë se kaq çështja.

Çdo mëngjes, kur zbres shkallët se nuk e dua ndihmën e ashensorit, ndeshem me qeska me plehra që banorët i lënë gati në çdo kat. Edhe në ashencor brenda gjen qese mbeturinash, për këtë sadisfaksion ia kursej vetes. Të gjithë nga portat e tyre dalin me nga një qese të paketuar mbeturinash, por nga dera e pallatit asnjë nuk mban mbeturina nëpër duar, por vetëm çelësat e makinës.

Pëshpëritet lartë e poshtë se ata të katit të 10-të ua lënë në derë atyre të katit të 7-të, atë të katit të 8-të atyre të katit të 5-të e kështu me radhë. Me sa duket njerëzit kanë turp të mbajnë një qese të paketuar mbeturinash që i kanë bërë vetë, dhe që duhet t’i hedhin në koshin e përbashkët. Nga dera kryesore e pallatit duhet të dalin të kollarisur apo me fustane dasme dhe të hapin derën e makinës që fishkëllen “piu-piu” nga 15 metra larg, me pult. Murtaja ende nuk ka plasur në pallatin tonë. Por as tek fqinjët, sepse ashtu si ne ka edhe të tjerë përreth që qahen për të njëjtën gjë. Por duket se sanitarja e bën punën mirë, se tek e fundit ka marrë ca klor e detergjentë aq sa për t’i futur lustër pisllëkut të përbashkët.

Për ta thënë më thjeshtë, jemi popull me nivel të ulët të edukatës personale, gjë që mund të anashkalohet te një njeri, por kur bashkohet, kthehet në një sinergji atomike. Pra bëhet kaq e dukshme sa do apo nuk do të duket se je futur në vorbullën e një turme psikike.

Ja, kjo mungesë edukate na çon në përroin e problemeve mendore!

Nuk e kam fjalën për ata që flasin me vete dhe shajnë në rrugë të gjithë kalimtarët, se ata janë me diagnozë solide, madje të certefikuar. Fjalën e kam për pjesën tjetër, të padiagnostikuar asnjëherë, që janë idiotë, por që e njohin veten për plot me mend.

Një herë e një kohë bënim një lëndë që quhej “Edukata Morale”. I mësonin rregullat bazë dhe na detyronin t’i respektonim. Fjala vjen: diku në klasën e 6-7-të, pas mësimit, mësuesja kujdestare na grumbulloi te kreu i rrugës së Barrikadave, tek vendi që quhej “Polici i Parë” dhe vendosi çdo nxënës në largësi 20-30 metra nga njëri-tjetri, ku të gjithë duhej të përdornim një formulë bazë për njerëzit që ecnin të shkujdesur në rrugë: – “Shokë qytetar, ju lutem hipni mbi trotuar”, – që donte të thoshte se, trotuari ishte për këmbësorët dhe rruga për makinat. Dhe të mendosh që në rrugën e Barrikadave asokohe, kalonte një BÇ e ministrisë së Brendshme, ZUK-u i komunales, ndonjë FIAT drejtori dhe ndonjë ambulancë NYSA që merrte përpjetë spitalit.

Sot kohët kanë ndryshuar rëndshëm. Nga një ç’disiplinim masiv, administratorët e shtetit po mundohen të na fusin nëpër kuadrate. Kryebashkiaku i Tiranës i ka mbushur rrugët me viza të kuqe e të bardha, ka krijuar vendqëndrime dhe rampa, për të disiplinuar njerëzit gjatë kalimit të rrugëve, sidomos aty ku ka semaforë. Por ky kostum duket që nuk na rri mirë. Dhe kur s’të rri mirë kostumi, do qëndrosh o me tuta sporti, o me brekë e kanotiere.

Këtu jemi në habitatin tonë, se jemi mësuar që nga koha kur visheshim me çitjane e poture.

Të vazhdojmë argumentin, tanimë pasi e kemi lënë pas lagjen me të mirat dhe të këqijat e saj.

Kur eci rrugëve në këmbë, acarohem sa s’bën me drejtuesit e automjeteve që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Por kur jam në timon acarohem me njerëzit që nuk respektojnë as vijat e bardha as sinjalet e semaforit. Këtij debati verbal as që kam për t’ia dalë dot ndonjëherë. Tek e fundit, të gjithë kanë të drejtë. Ata që zbritën vonë nga zonat rurale, tashmë kanë mësuar formulën standarte: Prioritet kalimtarit. Dhe, si për ta demonstruar këtë, të kalojnë lento-lento te rrotat e makinës, të hedhin nga një shikim vëngër, edhe pse ti nxiton, jo thjesht për të arritur sa më shpejt në destinacion, por sepse në ato pak sekonda, pas teje është bërë një varg makinash, boritë e të cilave bien papushim aq sa të luan çaçka e kokës.

-Ç’problem keni or vëllezër, nuk jeni mirë nga “dhëntë”?

Po or po, të gjithë këta duan nga një psikolog që t’u rregullojë humorin. Nga një për çdo makinë, aty në sediljen e parë.

Psikologë duhet të kenë edhe këmbësorët, që t’u bëjnë të ditur me marifet se në rrugët e Tiranës, në kryqëzime dhe trotuarët e ngushtë, nuk ecet si një herë e një kohë, kur merrnim xhiron javash-javash tek “Dëshmorët e Kombit”.

Deri këtu kishim një segment ku goxha punë u del psikologëve.

Vazhdojmë më poshtë:

Kur hipi në autobus urban, e njëjta vijë melodike më shoqëron gjithmonë, sepse më qëllon që një nga gratë që flet me video-kamera, rrëfen të gjitha sekretet e familjes, për bashkëbiseduesen, me imtësra neveritëse. Dhe tjetra përtej kameras çuditërisht ia ka ngenë që në 7-të të mëngjesit të dëgjojë gjithfarë broçkullash nga shoqja që nuk ka ndër mend ta mbylli telefonin as kur zbret pas katër stacionesh. Kjo sëmundje duhet të jetë vërtet masive, tek femrat sidomos. Se më ka qëlluar aq shpesh sa…, s’bëhet. Me këtë rast, duam apo s’duam,  informohemi edhe ne të tjerët. Epo tjetra të hap barkun… duhet respektuar.

Jo, këto lloj tipash duhet të jenë vërtet me probleme psikike, ndryshe s’ka se si…

Iku dhe kjo.

Te kasa e supermarkatës, gjithmonë e në çdo kohë, klienti pasardhës të shtyn, me qëllim që ti të mbarosh punë në një kohë rekord, sepse atë vend kërkon ta zërë vetë sa më shpejt.

-Mos do të më paguash faturën, – i thashë një zonje që për pak më hipi mbi zverk.

-Jo jo, – tha ajo e zënë në faj dhe u tërhoq pak, – më mjaftojnë të mijat.
U mbusha me frymë se po me mbahej.

Epo këtij lloj tipi, si bën derman as psikologu. I duhet një psikiatër i mirë.
Ecim dhe më.

Çdo mëngjes përballem me një fenomen që më është kthyer në tmerr: njerëz që kruajnë grykën dhe ia plasin pështymës sa munden m’u te këmbët e tua. Nuk përdorin as letra higjenike, as shami. Domethënë, asnjërën nga të dyja nuk e kanë me vete. Burra e gra bashkë, por më së shumti janë burra, të cilët as që e kanë problem ta lëshojnë stërklat e tyre që nga porta e hijshme e Presidencës, deri tek ujërat e ndyra të Lanës, fill e nga maja e urës. Ndezin cigaren sapo mbyllin derën e shtëpisë dhe ia fillojnë “këngës”, “kër, kër-ptuh”.

-Vdeksh, – shfryu një zonjë që ecte përbri meje, në një rast të ngjashëm.

“Rëndë e mallkove” – thashë me vete, – “të shkojë tjetri në xhehenem për një pështymë…”.

Ndërkohë, (në parantezë kjo) më duhet të shikoja ku hidhja këmbët, se kudo të shkelësh do të gjesh Mbetjen Ushqimore Trupore të qenve, dhe nuk është çudi që po se pate mendjen ose të bësh sparkatën, ose po të hysh në ndonjë vend me komunitet të zgjedhur, të të marrin me shqelma se u ndote ambientin.

Këta or të keqen e kanë koston e lartë, se veç psikologut për veten, u duhen dhe psikologë të specializuar për qentë.
Ec e ti gjesh.

E që ta ngjis mendimin pas parantezës, më duhet të shpjegoj se zotëria hijerëndë që kruante gurmazin nga e keqja, me jakën e palltos ngritur te veshët dhe duart në xhepa nuk ia bëri syri tërt nga fjalët e tjetrës, por përsëriti veprimin, këtë herë m’u te këmbët e gruas që e mallkoi. Isha i bindur që nuk e bëri nga inati, por sepse diçka të tillë e bënte në një vazhdimësi torturuese, deri në ekstrem.

Njerëz të fustruar, të çuditshëm në ecje në qëndrim e në veprime.
Qenie krejt asociale.

-Vdeksh, – gati sa nuk ulëriti zonja.

“Të lumtë ajo gojë” – mërmërita këtë herë unë, tanimë i bindur se tjetri e kishte mbushur kupën. Ndërkohë që me një hap prej atleti kalova dhe një mbetje qensh. – “Fjala jote në vesh të perëndisë”, – shtova një çast më pas, ku ne mendjen time më shumë kisha të zotin e qenit se sa burrin me gurmaz të shqyer.

Këtyre tipave u duhet një elektroshok, se as hapjet nuk u bëjnë derman.

M’u pështiros. Çdo mëngjes e njëjta situatë. Ndryshojnë vetëm personat. Epo dhe nëse kisha ndërmend të ndalesha tek “Mëngjesorja” për të ngrënë një çapë buke, ca pilaf e ndonjë paçe koke, uria më zhduket menjëherë sepse më nakatosej aq shumë sa isha gati të nxirrja dhe ç’kisha ngrënë dy ditë më parë. Dhe një i tillë veprim në Tiranën tonë, është kthyer në art. Pllakat me mbishkrimet: “Mos pështyni për tokë” janë zhdukur. Por dhe po të ekzistonin ato s’do të kishin asnjë vlerë paralajmëruese. Dhe kjo kruajtje masive gurmazesh nuk ka të bëjë as me të ftohtët dhe as me situatat gripale: thjesht ka të bëjë me edukatën qytetare. Ndoshta me ndonjë tik nervor.

O po këtu të gjithë kanë nevojë për nga një psikolog.

Mizëri psikologësh.

Tanimë në Shqipëri nuk ka nevojë më për armatë me inxhinierë, matematikanë e fizikanë. Na duhen sa më shumë mësues e psikologë. Mësues që të edukojnë brezat dhe psikologë që të atashohen në çdo shkollë, qendër pune, madje dhe në supermarkata e lokale lagjesh, ku të pyesin çdo orë e minutë klientët: A jeni të motivuar për jetën?

E lemë me kaq, se fundin nuk ia nxjerrim dot…

Se këtu nuk kam ndërmend të flas për vrasjet e therjet me motivet tërësisht absurde, ku vendin e parë e mban gërvishtja e makinës në parking dhe vendin e dytë debati për një karikues celulari. Se këtë barrë as psikologu nuk e mban dot.

Dhe ec e mos thuaj pastaj: “popull psikik”