Ekonomi “Portin e Durrësit e ndërton vetëm një i çmendur”, miliarderi arab: Si...

“Portin e Durrësit e ndërton vetëm një i çmendur”, miliarderi arab: Si u njoha me Shqipërinë

Dikur flinin 9 fëmijë në 1 dhomë, sot Mohamed Alabbar është miliarder dhe ka ndërtuar Dubain

Mohamed Alabbar ka lindur në një familje modeste dhe fëmijërinë e kaloi në një dhomë te vetme ku banonin dhe flinin 9 fëmijë. 35 vjet më pas ai është një nga personazhet më të rëndësishëm të Emirateve, botës arabe dhe biznesit ndërkombëtar.

Është njeriu që ka ideuar dhe ngritur ndërtesën më të lartë në bote, Burj Khalifa, qendrën tregtare më të madhe në botë, Dubai Mall dhe pjesën më të rëndësishme të qytetit të Dubait. Vizionit dhe besimit të tij i dedikohet fakti që Dubai është sot qyteti i pestë më i vizituar i globit.

Mohamed Alabbar, kreu i kompanisë Emaar, ka zhvilluar një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu në “Opinion”. Njeriu që konsiderohet si personi që ndërtoi Dubain ka treguar se si është njohur për herë të parë me vendin tonë.

Ai u shpreh se hera e parë ka qenë para 5 vitesh, por për shkak të angazhimeve e la pas dore një vizitë. Pas kësaj ka qenë një prej miqve të tij që në fakt e ka prezantuar edhe me projektin për ndërtimin e portit të Durrësit, të cilin pritet ta ndërtojë kompania e njohur e Alabbar.

Kur e keni vizituar Shqipërinë për herë të parë?

Mohamed Alabbar: Para dy viteve.

Përse, cili ka qenë qëllimi i vizitës suaj?

Mohamed Alabbar: Po lexoja për Shqipërinë, po shihja Europën Lindore para 5 viteve, por pastaj u mora me gjëra të tjera.

Nuk kishit asnjë informacion për Shqipërinë?

Mohamed Alabbar: Jo nuk kisha. Unë operoj në Lindjen e Mesme. Mendoj ndryshe. Fatkeqësisht jemi burim i keq për lajmet e botës. Po të ndjekësh shtypin, shumica e lajmeve të këqija vijnë nga Lindja e Mesme. Problemet me Iranian, Afganistanin, Palestinën, terrorizmin.

Por disa nga vendet më tërheqëse të botës janë nga Lindja e Mesme?

Mohamed Alabbar: Shumë e vërtetë. Pikërisht se jetoj këtu kam pikëpamje pozitive. Pavarësisht sa dëgjon nga jashtë, mundësitë këtu janë për t’u zhvilluar. Njësoj është edhe për Shqipërinë, në mundësitë që të jep ajo për të ecur përpara. Më telefonoi një miku im, zoti Suarez dhe më tha se Shqipëria po zhvillohet. Nisi të fliste për portin e Durrësit, dhe më tha se është vetëm një i çmendur që e bën këtë projekt dhe quhet Muhamed.

Çfarë propozimi i ka bërë qeverisë shqiptare Alabbar për jugun

Në vizitat që ka pasur në Shqipëri, Mohamed Alabbar ka pasur mundësinë të vizitojë edhe jugun e vendit. Thotë se është tronditur nga bukura e tij. I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se përse zgjodhi Durrësin për investim, kur kishte pasur një impresion të tillë për jugun e Shqipërisë, kreu i kompanisë prestigjioze Emaar thotë se i ka bërë qeverisë shqiptare një propozim edhe për jugun dhe po pret përgjigje.

“Së pari nuk mendoj se ato hapësira (në jug) do të mbeten bosh për një kohë të gjatë, më dëgjoni mua. Po shoh për diçka serioze në jug, po jua them. I kam bërë një propozim qeverisë dhe do të më kthejnë përgjigje. Po mendojmë një projekt për turizmin, jemi duke punuar, vetëm propozim. Por tipike për investitorët, qytetet e mëdha janë qendra, aty është ekonomie. Tipike kjo për botën, njerëzit po zhvendosen nëpër qytete, atje është GDP-ja, popullsia më e madhe, punësimi, por po të shohim jugun, është diçka krejt ndryshe”, shprehet në intervistën e dhënë për Blendi Fevziun, Mohamed Alabbar.