Bota POST-BREXIT: Çfarë ndryshon me Britaninë dhe Europën nga sot e tutje

POST-BREXIT: Çfarë ndryshon me Britaninë dhe Europën nga sot e tutje

Brexit u bë realitet mesnatën e së premtes, 1.317 ditë pasi britanikët vendosën me referendum të largoheshin nga Bashkimi Evropian.

Tashmë pyetja është se çfarë do të ndryshojë nga dita e sotme, 1 shkurt?

Tregtia e përditshme midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian do të vazhdojë si më parë deri në fund të vitit 2020. Gjatë kësaj periudhe kalimtare prej 11 muajsh, Londra dhe Brukseli duhet të bien dakord për marrëdhëniet e tyre të ardhshme. Nëse nuk bihet dakord, tregtia me Britaninë do të zhvillohet sipas rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) derisa të arrihet një marrëveshje e tregtisë së lirë, e cila në të vërtetë do të ishte një Brexit “i vështirë”.

Londra mund të kërkojë një zgjatje të periudhës së tranzicionit për një vit ose dy deri në 1 korrik, por kryeministri britanik Boris Johnson ka thënë se nuk dëshiron.

Pas largimit të 66 milion banorëve të saj, Unioni do të ketë rreth 446 milion banorë, dhe territori i tij do të ulet me 5.5 përqind.

Nëse Mbretëria e Bashkuar dëshiron të kthehet, ajo do të duhet të kalojë procedurën e zakonshme të pranimit.

Heqja e flamurit britanik përpara ndërtesës së Parlamentit Evropian në Bruksel, simbolizon ndryshimin e vërtetë: Mbretëria e Bashkuar nuk do të jetë më një anëtare e BE, por një “vend i tretë”.

Nuk do të ketë më asnjë prej 73 eurodeputetëve aktualë britanikë në Parlamentin Evropian – 46 nga këto vende do të jenë të rezervuara për shtetet anëtare të ardhshme dhe 27 do të ripërcaktohen. Kështu Kroacia do të ketë një përfaqësues më shumë, gjithsej 12.

Britania nuk do të ketë më të drejtë të ketë një komisioner në Komisionin Evropian. Ai nuk është më në Komisionin e ri Evropian sepse Kryeministri Boris Johnson nuk donte ta emëronte.

Kryeministri britanik nuk do të jetë më i ftuar në samitet evropiane dhe përfaqësuesit britanikë nuk do të marrin pjesë në takimet e ministrave.

Si shtetas të huaj, britanikët nuk do të jenë më në gjendje të kandidojnë për postet e zyrtarëve evropianë në Bruksel. Megjithatë, shumë kanë marrë nënshtetësi të dyfishtë në mënyrë që ata të mund të qëndrojnë në Union.

Mbretëria e Bashkuar nuk do të ketë të drejtë të votojë në BE, por do të duhet të paguajë pjesën e saj të buxhetit evropian deri në fund të periudhës tranzicionale. Britania është kontribuesi i dytë neto në buxhetin e BE-së pas Gjermanisë.

Sipas Kombeve të Bashkuara, afro 1.2 milion qytetarë britanikë jetojnë në një shtet tjetër anëtar të BE-së, kryesisht në Spanjë, Irlandë, Francë, Gjermani dhe Itali. Sipas Byrosë së Statistikave në Mbretërinë e Bashkuar, 2.9 milion qytetarë të 27 vendeve anëtare të BE jetojnë në Britani, që është rreth 4.6 përqind e popullsisë. Sipas Marrëveshjes së Tërheqjes, të dy do të ruajnë të drejtat e tyre për të banuar dhe punuar aty ku kanë vendbanimin.

27 shtetas të BE-së që banojnë në Britani duhet të regjistrohen për të ushtruar këto të drejta. Për njerëzit britanikë që jetojnë në BE, procedurat ndryshojnë nga një vend në tjetrin.

Liria e lëvizjes do të jetë e vlefshme deri më 31 dhjetor 2020. Detajet e të drejtave të ndërsjella do të bien dakord pas Brexit. Mbretëria e Bashkuar ka negociuar për disa vite kushtet e një divorci nga BE me ekspertë të Komisionit Evropian të udhëhequr nga Michel Barnier.

Por pas ditës së premte, negociatat do të hyjnë në një fazë të re.

Deri në fund të periudhës kalimtare, Britania do të jetë nën juridiksionin e Gjykatës së Drejtësisë të BE-së dhe të drejtës evropiane. Barnier negocion me Shtetet Anëtare një mandat negociues për një marrëveshje të marrëdhënieve në të ardhmen, kryesisht mbi tregtinë. Në kundërshtim me Marrëveshjen e Tërheqjes, e cila duhet të ratifikohet nga Shtetet Anëtare dhe Parlamenti Evropian, marrëveshja tregtare do të duhet të miratohet nga më shumë se 30 parlamente kombëtar dhe rajonale.