Histori Postblloku më i famshëm në botë do të shkojë në “pension” (FOTO)

Postblloku më i famshëm në botë do të shkojë në “pension” (FOTO)

Pas murit të Berlinit, ishte atraksioni më i famshëm për turistët që ende kërkojnë në Berlin memorie të epokës ku kryeqyteti gjerman ishte i ndarë.

Por Checkpoint Charlie, siç quhet postblloku i famshëm berlinez, pas një historie 58-vjeçare do të shkojë përfundimisht në pension.

Kështu vendosi Këshilli bashkiak i Berlinit, që do të ndryshojë tërësisht pamjen e zonës me krijimin e një sheshi tëri që do të zëvendësojë një seri strukturash deri diku konfuze që ndodhen në afërsi të postbllokut.

Tek sheshi i ri do të ndërtohet edhe një muze i Luftës së Ftohtë, që do të kujtojë me materiale të epokës dekadat ku metropoli gjerman ishte i ndarë në dysh nga një mur që përkufizonte edhe dy mënyra jetese tërësisht të ndryshme.

I ngritur në gushtin e vitit 1961, postblloku ishte një nga tre më të famshmit që ndanin Berlinin perëndimor me atë komunist, dhe emrin Charlie e kishte pikërisht se vinte pas postbllokut Alpha dhe atij Bravo, pra sipas renditjes së alfabetit.

Pas viteve ’90, postblloku u spostua nga vendi origjinal dhe nga pikë kyçe ku mijëra qytetarë të Lindjes tentonin të kalonin në Perëndim, u shndërrua në një atraksion me aktorë të veshur si ushtarë për turistët.