Aktualitet Prag zgjedhjesh, Rama ‘ngrin’ prokurimet për bashkitë

Prag zgjedhjesh, Rama ‘ngrin’ prokurimet për bashkitë

Një ditë para se Partia Socialiste të përcaktojë listën me kandidatët për 61 bashkitë e vendit, kryeministri Edi Rama ka firmosur në mbledhjen e qeverisë së kësaj të mërkure vendimin për pezullimin e përkohshëm të fillimit të procedurave të prokurimit nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe autoritetet kontraktore në varësi të tyre, për vitin 2019

“Nё mbёshtetje tё nenit 100 tё Kushtetutёs, të neneve 16 e 40, të ligjit nr.9936, datё 26.06.2008, “Pёr menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, tё ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Kёshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1-Pezullimin e përkohshëm të fillimit të procedurave të prokurimit nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe autoritetet kontraktore në varësi të tyre, për vitin 2019” thuhet në vendim.

Do të përjashtohen nga ky rregull prokurimet me vlerë të vogël dhe procedurat e prokurimit që kanë si objekt produktet ushqimore.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen të gjitha institucionet e vetëqeverisjes vendore, institucionet në varësi të tyre dhe Agjencia e Prokurimit Publik.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.