Opinione Pragmatisti, Klaus Iohannis fiton zgjedhjet në Rumani

Pragmatisti, Klaus Iohannis fiton zgjedhjet në Rumani

Presidenti i ardhshëm i Rumanisë do të jetë Klaus Iohannis. Ai fitoi në balotazh me 63,1% të votave kundër konkurrentes, Viorica Dancila. Nuk ka pasur kurrë kohë më të mirë për një fillim të ri, mendon Robert Schwartz.

Atmosferë e zymtë në selinë e partisë socialdemokrate, PSD, ku kandidatja Viorica Dancila humbi. Të trishtuar shoqet e shokët e partisë shikojnë nga kamerat, sikur të kishin kuptuar, se këto zgjedhje, të humbura kaq keq ishin lopata e fundit për varrin politik, që është hapur për partinë postkomuniste. Ndonjë kritik mund të mendojë, pushofsh në paqe.

Ata e donin kështu, ata e bënë partinë si pronë të vetën, e keqdrejtuan deri në frymën e fundit. Kjo dëgjohet këtë të dielë nga ndonjë zë socialdemokrat. Humbi Viorica Dancila, e preferuara e kreut të dënuar të partisë, Liviu Dragnea dhe administratorja e tij. Ajo e mori si kryeministre edhe drejtimin e partisë, kur mentori i saj, Dragnea duhej të shkonte në burg për shpërdorim detyre. Qeverisë së Dancilas iu desh të dorëhiqej para disa javësh, pasi ish-bashkudhëtarë politikë të saj i kanë kthyer kurrizin dhe ia dhanë mbështetjen partisë liberal-konservatore, PNL.

Kandidatura e Dancilas për zgjedhjet presidenciale, duhej t’i jepte PSD-së një hov të ri, menduan strategët partiakë. por llogaria nuk doli. Viorica Dancila dështoi. Jo vetëm nepotizmi dhe korrupsioni, edhe përpjekja për çmontimin e shtetit ligjor sollën implodimin e PSD-së. E këtë rënie të lirë të partisë nuk e ndalën dot as propaganda nacional-populiste, dhe baltosja e presidentit të detyrë, Klaus Iohannis. Sidomos shtresa e mesme, rumunë të shkolluar brenda dhe jashtë vendit nuk u stepën -ata panë tek Klaus Iohannis në këtë raund të dytë zgjedhor, kandidatin e tyre për një Rumani normale europiane. Megjithë gabimet, që ai bëri në mandatin e parë, nën presionin e PSD-së e institucioneve të kontrolluara prej saj.

Klaus Iohannis tani duhet të japë rezultate

Iohannis tregoi, se ka mësuar nga gabimet e mandatit të parë. Ish-mësuesi i dikurshëm i fizikës dhe kryebashkiaku i qytetit Sibiu të Siebenbürgenit, zbuloi në kohën e duhur votuesit e tij. Ai ndoqi një rrugë pragmatike dhe me durim, përzierja e duhur, për të mbajtur larg kundërshtarët e tij në PSD. Shumica e rumunëve dëshiron një vend normal me politikanë normalë, rezultati i këtyre zgjedhjeve është një provë për këtë. Njerëzit në Rumani duan një shtet ligjor europian, një drejtësi të pavarur, dhe njerëz pa njolla korrupsioni në politikën e vendit të tyre.

Klaus Iohannis në një fushatë zgjedhore të mërzitshme premtoi rikthimin në normalitet. Tani ai duhet të japë rezultate. Qëndrimi i tij hezitues nganjëherë i lidhur me një qeveri armiqësore kundrejt tij ka lënë gjurmë. Së bashku me qeverinë liberal-konservatore, PNL, partinë që e mbështet atë politikisht, Klaus Iohannis duhet të kthejë mbrapsht hapat që ndërmori PSD-ja për dobësimin e strukturave demokratike. Këtë nuk e presin vetëm rumunët brenda vendit, por edhe më shumë se 4 milionë rumunë, që janë larguar nga vendi për shkak të mungesës së perspektivës.

Nëse Iohannis do ta ndalë largimin e pandalur të trurit nga vendi, e të kthejë në vend njerëzit që e zgjodhën me shumicë absolute, duhet që fjalët t’i bëjë tani vepra. Vetëm një fillim i ri autentik me përfshirjen e forcave pro-europiane mund ta kalojë Rumaninë në ujëra të qeta. Koha për këtë nuk ka qenë kurrë më e mirë. /DW