Aktualitet Arrestohen për prostitucion 2 pronarë hotelesh dhe 5 vajza

Arrestohen për prostitucion 2 pronarë hotelesh dhe 5 vajza

Pronarët e 2 hoteleve përfunduan në pranga, për shfrytëzim prostitucioni. Bashkë me ta, në pranga ranë edhe 5 vajza që ushtronin prostitucion, ashtu sikurse edhe një klient, i cili u kap gjatë kohës që kryente marrëdhënie seksuale me një prej vajzave.

Pas 7 muajsh hetime, është ky rezultati i autoriteteve policore në Kavajë. Të arrestuarit janë B. Gj., 61 vjeç dhe F. H., 58 vjeç, dy pronarë hotelesh në zonën e njohur si “Bishti i Zhurit” në Rrogozhinë. Ata akuzohen për shfrytëzim prostitucioni dhe mbajtje të ambienteve për kryerjen e këtij aktiviteti. Mbi vajzat e arrestuara rëndon akuza e prostitucionit.

“Gjithashtu u arrestua në flagrancë R. L., banues në Divjakë, pasi është kapur në flagrancë në ambientet e hotelit në pronësi të shtetasit B. Gj., duke kryer marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës, me shtetasen Q. R. Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 370.000 lekë të reja, të përfituara nga shfrytëzimi i këtyre shtetaseve për prostitucion, 7 telefona celular dhe një autoveturë”, thotë policia në njoftimin e saj për mediat.