Kosova Pranon vendimin e Kushtetueses, Hoti: Të miratojmë buxhetin para shpërbërjes së Parlamentit

Pranon vendimin e Kushtetueses, Hoti: Të miratojmë buxhetin para shpërbërjes së Parlamentit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pranon vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili i hap rrugën mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ndërsa kërkoi nga partitë e tjera politike që të votojnë buxhetin për vitin 2021 përpara shpërndarjes së Parlamentit.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur për herë të parë publikisht pas rrëzimit të qeverisë nga Gjykata Kushtetuese. Ai tha se qeveria në detyrë do të kryejë të gjitha funksionet shtetërore, ndërkohë bëri thirrje që Kuvendi të mos shpërndahet pa miratuar buxhetin e vitit 2021.

Të miratohet buxheti

“Ne do të kryejmë detyrën tonë si qeveri në detyrë. Tani është obligim kushtetuese të ndiqen procedurat për shpalljen e zgjedhjeve brenda afateve kushtetuese. Ne do t’i kryejmë detyrat tona në rrethana të reja pas këtij vendimi. Dua të siguroj qytetarët, partnerët tanë, bizneset, që ne do të jemi në krye të detyrës, sidomos sa i takon në menaxhimin e situatës në pandemisë, në të cilën kemi treguar rezultate të mira. Unë para jush bëj thirrje që Kuvendi të mos shpërndahet pa miratuar buxhetin për vitin 2021. Kam mbajtur një takim edhe me bizneset dhe kërkesa e tyre është që ky buxhet të votohet. Pres që Kuvendi të miratoj buxhetin. Të mos pengohet puna deri në formimin e qeverisë së re”, tha Hoti.

Shefi i qeverisë në detyrë tha se vendimin e Gjykatës Kushtetuese do ta respektojë pa asnjë diskutim.

“Jeni në dijeni që vendimi i Gjykatës është bërë publik, e pranoj këtë vendim dhe do ta respektoj pa asnjë diskutim”, ka thënë Hoti.

I mbyll dyert Vjosa Osmanit

Hoti nuk i mbylli derën e bashkëpunimit Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa tha se rrugët e Lidhjes Demokratike të Kosovës me Vjosa Osmanin janë mbyllur njëherë e mirë.

“Ne po i bëjmë të gjitha përgatitjet për të shkuar në zgjedhje. Sa i përket znj.Osmani, ajo e ka bërë zgjedhjen e saj. Unë mendoj se ajo i ka ndarë rrugët përgjithmonë. Kjo është qeveri në detyrë, asnjë funksion shtetëror nuk do të mbetet prapa“, tha ai.

Sa i përket emrit për kandidat për kryeministër nga radhët e partisë së tij, Hoti tha se ai do të vijë përmes konsultimeve brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai nënvizoi se qeveria e tij do të mbahet mend për shumë arritje, ndër të cilat përmendi vetëm menaxhimin e mirë të pandemisë koronavirus.