Sport Prapaskenat: 90% e lojtarëve të United ishin kundër Mourinhos dhe pse u...

Prapaskenat: 90% e lojtarëve të United ishin kundër Mourinhos dhe pse u zgjodh Solskjaer

Pas shkarkimit të Jose Mourinhos si trajner i “Djajve të Kuq”, gazeta e madhe e këtij qyteti, “Manchester Evening News” raporton se shumica e lojtarëve janë të lumtur pas këtij veprimi të klubit. Sipas kësaj gazete, e cila ka si referencë burime brenda skuadrës së Manchester United, ndryshimi i trajnerit u bë kryesisht për të kthyer buzëqeshjen në fytyrat e lojtarëve.

Tani, me zyrtarizimin e Solskjaer si trajner i përkohshëm, do të shohim nëse mund të ketë një ndryshim të situatës dhe humorit te futbollistët në “Old Trafford”.

Sipas lojtarëve, Mourinho e humbi mbështetjen e skuadrës pas ndeshjes kundër Southampton, më 1 dhjetor. Pavarësisht barazimit, trajneri portugez hodhi akuza kundër lojtarëve të tij dhe kryesisht ndaj “viktimës” së tij kryesore, Paul Pogba.

Nga ky moment, më shumë se 90% e lojtarëve ishin kundër trajnerit, çka iu bë me dije edhe drejtuesve të klubit. Te pjesa prej 10%, që mbështesnin portugezin, bënin pjesë Lukaku dhe Marcos Rojo, ndër të tjerë. Me pothuajse asnjë mbështetje në dhomën e zhveshjes, Mourinho mbijetoi vetëm katër ndeshje të tjera, që nga barazimi kundër Southampton. Prandaj, shkarkimi i “Luso” mund të sjellë një kthesë 180 gradëshe te skuadra dhe lojtarët.

“Pse u zgjodh Solskjaer”

Ndërkohë, zëvendëspresidenti ekzekutiv i Manchester United, Ed Woodward, ka folur pas shkarkimit të Jose Mourinho-s dhe zëvendësimin e tij me Ole Gunnar Solskjaer, i cili do të drejtojë ekipin deri në fund të sezonit.

“Ole është një legjendë e klubit me një eksperiencë të madhe, në fushë dhe si trajner”, ka thënë Woodward. “Historia e tij te Manchester United e bën atë njeriun e përshtatshëm për të përfaqësuar ngjyrat e klubit dhe ne jemi shumë të lumtur me kthimin e tij dhe Mike Phelan” ka thënë drejtuesi i klubit anglez.

Edhe Solskjaer është shprehur i lumtur për mundësinë që i është dhënë. “Manchester United është në zemrën time dhe është e shkëlqyer që jam kthyer këtu me këtë pozicion. Pres me padurim që të punoj me skuadrën e talentuar që kemi dhe këdo në klub”, ka thënë norvegjezi.

Solskjaer ka luajtur 11 vite me “Djajtë e Kuq”, duke fituar gjashtë tituj në Premier League gjatë periudhës së tij në “Old Trafford”.