Bota Prapaskenat e arrestimit të Emmas, ish-Miss dhe partnere besnike: Presion që El...

Prapaskenat e arrestimit të Emmas, ish-Miss dhe partnere besnike: Presion që El Chapo të flasë

Një arrestim për të dhënë një mesazh. Ka “shumë” në prangosjen Emma Coronel, gruaja e Joaquin Guzman i ashtuquajtur El Chapo. Një histori ku janë në mes mizoritë, bashkëpunimet dhe aspektet mondane. Emma përfaqëson shumë – edhe simbolikisht – për bosin e Sinaloas.

Gruaja e narkotrafikantit të njohur meksikan, Joaquin “El Chapo” Guzman, është arrestuar në aeroportin e Uashingtonit nën akuzën se është e përfshirë në trafikun e drogës dhe se organizoi arratisjen e bashkëshortit të saj nga burgu meksikan në vitin 2015.

31-vjeçarja Emma Coronel Aispuro, me shtetësi meksikane dhe amerikane duhet të përballet tashmë me një gjykatës federal. Bashkëshorti i saj, themelues i kartelit të Sinaloa është duke vuajtur një dënim të përjetshëm në një burg të sigurisë maksimale në Shtetet e Bashkuara.

Bukuria: Ish-miss, e re, ka mishëruar rolin e gruas së shefit, nënë e dy vajzave.

Klani: Ajo i përket klanit të Coronel, një nga familjet historike të krimit meksikan.

Partnerja: El Chapo ka pasur shumw histori sentimentale, shumë të dashura, por Emma ka vazhduar t’i qëndrojë pranë, edhe pas ekstradimit të bosit në SHBA; madje, gjatë procesit ishte e para në linjën e betejës ligjore.

Bashkëpunëtore: Sipas amerikanëve ka pasur rol në trafikun e drogës dhe arratisjet e famshme të mbretit të narkotikëve, pra një përfshirje direkt në aktivitetet ilegale.

Në këto vite ajo nuk është fshehur aspak. E ka jetuar jetën në dritat e famës, me postime dhe foto në rrjetet sociale, ndërhyrje, deklarata dhe ide biznesi për të shfrytëzuar emrin dhe mbiemrin “popullor”. Nuk i ka mohuar kurrë lidhjet, e ka mbrojtur gjithmonë burrin duke marrë admirim, respekt madje dhe krenari. Ka sqaruar me këto gjeste publike se ishte ajo në krah të El Chapo-s, duke iu dhënë mesazh rivalëve.

Lëvizja gjyqësore ka habitur pjesërisht edhe vëzhguesit. Emma ka udhëtuar shpesh në Shtetet e Bashkuara, në vitin 2012 lindi binjaket e saj në Kaliforni, ka lëvizur shpesh dhe pa treguar frikë. Autoritet duket se kanë ndërhyrë për t’i ushtruar presion gangsterit që edhe sot nuk ka treguar asgjë për perandorinë e tij, thesarin e tij dhe shumë bashkëpunime. E kanë mbyllur në një burg të sigurisë së lartë Supermax, në Kolorado, një vend ku është e pamundur të arratisesh. Një destinacion natyral për personazhet e kalibrit të tij: nëse nuk bashkëpunon, do të qëndrojë i varrosur gjallë. Aq sa edhe ai vetë duket se po i vuan kushtet e burgimit, ndërsa ka thënë se ka pësuar pasoja fizike dhe mendore.

Një tjetër pikë për sa u përket provave. Disa elementë kundër Emma-s iu ofruan hetuesve nga Damaso Lopez Nunez, menaxher i El Chapos, ish-funksionar publik. Edhe ai ka përfunduar në duart e Drejtësisë amerikane. Është ai që ka zbuluar lëvizjet e ish-missit në operacionet për të favorizuar arratisjet e bosit. Një demonstrim që ekziston edhe një alternativë dhe për heshtjen dhe omertà-n./American Eye