Kryesore Prapaskenat e negociatave/ Macron: Nëse poshtërojmë Shqipërinë, destabilizohet rajoni

Prapaskenat e negociatave/ Macron: Nëse poshtërojmë Shqipërinë, destabilizohet rajoni

Presidenti francez Emmanuel Macron në një intervistë të gjatë për “The Economist” ku ka folur për të ardhmen e Europës, i është rikthyer edhe vendimit për mos hapjen e negociatave mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë e Maqedoninë e Veriut.

“Poshtërimi i Shqipërisë destabilizon rajonin”

Presidenti francez thotë se shumica e vendeve ishin në favor të hapjes së negociatave për Maqedoninë e Veriut, por gati gjysma e tyre ishin kundër hapjes për Shqipërinë. Macron tha se ky ishte një gabim fatal dhe se poshtërimi i Shqipërisë çon në destabilizim të rajonit në mënyrë të vazhdueshme.

“Duhet të shtoj se shumica e tyre ishin në favor të hapjes për Maqedoninë e Veriut, por gati gjysma e tyre ishin kundër hapjes për Shqipërinë. Gabim fatal… Pyetini ata nesër nëse duan t’i hapin derën Shqipërisë. Gjysma e tyre do të thonë jo. Ata duan t’i hapin derën Maqedonisë e Veriut, është e vogël, ka ndryshuar emrin e saj dhe kjo është një arritje e vërtetë historike. Nuk frikëson askënd. Realiteti është që nëse nuk i hapim derën Shqipërisë, do të shkaktojmë një traumë të tmerrshme në rajon. Komuniteti shqiptar është kudo. Nëse poshtëroni Shqipërinë, ju do të destabilizoni rajonin në një mënyrë të vazhdueshme.”

Bosnja, bombë me sahat

Duke theksuar se duhen reformuar procedurat e anëtarësimit në BE, Macron tha se në lidhje me shqetësimin për rajonin e Ballkanit, çështja e parë nuk është as Maqedonia, as Shqipëria, por ajo është Bosnje-Hercegovina.

“E dyta, nëse shqetësoheni për këtë rajon, çështja e parë nuk është as Maqedonia, as Shqipëria, ajo është Bosnje-Hercegovina. Bomba me kohëmatës që po rreh pranë Kroacisë, dhe e cila përballet me problemin e kthimit të xhihadistëve, është Bosnje-Hercegovina. E treta është se ne kemi nevojë për të reformuar procedurat tona të anëtarësimit para se të hapim negociatat. Nëse e arrijmë këtë reformë në muajt e ardhshëm, unë do të jem i gatshëm të hap negociatat. Gjithsesi, nëse Shkupi dhe Tirana bëjmë reforma në muajt e ardhshëm, unë jam i gatshëm të hap negociatat. Nëse këto dy vende bëjnë përpjekje shtesë”. Por, nuk dua ndonjë anëtar të ri të mëtejshëm derisa të reformojmë vetë Bashkimin Evropian. Sipas mendimit tim, ky është një parakusht i sinqertë dhe i domosdoshëm.”

Shqipëria në BE pas 15 vitesh?

Macron po ashtu se çfarë e motivoi të kundërshtonte anëtarët e tjerë të BE-së në samitin e tetorit në Bruksel. Ai tha se sipas llogarive të vendeve të tjera anëtare, Shqipërisë do t’i duhen edhe 15 vite të hyjë në BE.

“Unë u përpoqa të jem konsistent, u thashë liderëve të tjerë ‘kemi një problem’. Ne nuk dimë si të veprojmë me 27 anëtarë, a mendoni se do të jemi më mirë me 30 ose 32? Dhe ata më thanë ‘nëse ne hapim negociatat, Shqipërisë dhe Maqedonisë do t’i duhen 15 vite të bëhet anëtare. Kjo nuk është e vërtetë as për qytetarët tanë, as për ato vende. Unë u thashë atyre të shikojnë se çfarë ndodhi me bashkimin bankar. Pas krizës së vitit 2008 na u deshën 20 vjet për të reformuar. Pra, edhe nëse hapim negociatat tani, ne nuk do të kemi sukses në reformimin e Unionit nëse vazhdojmë të punojmë me të njëjtën shpejtësi”, tha Macron.

Zgjidhja sipas Macron

Sipas presidentit francez, zgjidhja është investimi në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.

“Le të përpiqemi të ndihmojmë këto vende, të investojmë, t’u themi kompanive tona që të investojnë në masë atje, të japin para për zhvillim, për kulturë, për arsim. Por thjesht hapja e një procesi burokratik është absurde”, thotë Macron.

Një nga propozimet kryesore të Macron është integrimi sektorial, që do të thotë se pas mbylljes së një kapitulli, vendi përkatës do futet në sistemin e BE-së në fushën përkatëse në vend se të presë anëtarësim të plotë. Modeli tjetër është modeli norvegjez. Ai parashikon që në vend të anëtarësimit do të ofrohet anëtarësimi në dy institucione kyçe; Bashkimi Europian për Tregtinë e Lirë dhe Zonën Ekonomike Europiane, ku bëjnë pjesë Islanda, Lihtenshtejni, Norvegjia dhe Zvicra, që nuk janë anëtarë të BE-së.