Politika Prapaskenat/ Gent Cakaj humbet gjyqin për pasaportat e vjedhura dhe shkrin ambasadën...

Prapaskenat/ Gent Cakaj humbet gjyqin për pasaportat e vjedhura dhe shkrin ambasadën në Greqi

AMBASADORJA E SHKARKUAR, ARDIANA HOBDARI (DJATHTAS) AMBASADORJA E PROPOZUAR, LUELA HAJDARAGA

Ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj, ka shkarkuar dje ambasadoren e Shqipërisë në Athinë, Ardiana Hobdari, dhe pjesën më të madhe të stafit të ambasadës sonë.

Vendimi ka ardhur vetëm pak ditë pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës pushoi çështjen e ngritur ndaj ambasadores Hobdari dhe Konsullit të përgjithshëm në Janinë, Gjikuria, për akuzën penale të “Shpërdorimit të detyrës” për rastin e vjedhjes së 100 pasaportave biometrike të shtetasve shqiptarë që jetojnë në Greqi.

Kanë qenë mediat greke që e kanë publikuar këtë lajm, ndërsa burime nga Ministria e Jashtme pohuan se motivacioni i këtyre shkarkimeve është performanca dhe shërbimet e dobëta ndaj komunitetit shqiptar në Greqi.

Shkarkimi i pjesës më të madhe të stafit të ambasadës fut në kolaps në këto momente shërbimet ndaj shtetasve tanë në Greqi dhe mësohet se i vetmi personel që po punon aktualisht në këtë ambasadë, është një grup punonjësish që po merren ekskluzivisht me aplikimin e shtetasve me pasaportat e reja biometrike.

PASAPORTAT

Duket se kanë qenë pikërisht pasaportat biometrike që kanë futur në kolaps marrëdhëniet e ministrit në Detyrë me ambasadoren Hobdari. Në shkurt të 2019, një numër i konsiderueshëm i pasaportave të prodhuara në Tiranë për shtetasit shqiptarë në Greqi u vodhën nga makina e konsullit të përgjithshëm në Janinë, Pervin Gjikuria, pasi më parë ishin bllokuar nga dogana greke në autobusin e linjës Tiranë-Athinë. Për këtë skandal, Ministria e Jashtme ngriti një grup pune me qëllim hetimin administrativ të saj. Në përfundim u përgatiten dy raporte në lidhje me çështjen e bllokimit të pasaportave dhe asaj të vjedhjes së tyre. Ministria ngriti akuzë penale për veprën e shpërdorimit të detyrës për ambasadoren Hobdari dhe konsullin Gjikuria, duke sjellë për vlerësim dhe dokumentet e hetimit administrativ.

Më 2 qershor, Gjykata e Tiranës vendosi pushimin e çështjes dhe rrëzimin e akuzave për shpërdorim detyre ndaj ambasadores dhe Konsullit të Përgjithshëm. “Në përfundim, ajo çka është më e rëndësishme është mungesa e lidhjes shkak-pasojë mes detyrimeve të ambasadores Hobdari, bllokimit të pasaportave nga autoritetet doganore greke, si dhe vjedhjes së tyre. Në lidhje me bllokimin e pasaportave nga ana e autoriteteve doganore greke është bërë shkak mosrespektimit i Konventës së Vjenës, fakt ky që është audituar nga Ministria më parë dhe është konsideruar i rregullt.

“Në lidhje me vjedhjen e pasaportave, bëjmë me dije se vjedhja është kryer në momentin që transporti po kryhej në përputhje me Konventën e Vjenës, pasi ishte marrë përsipër nga konsulli me një automjet me targa diplomatike. Pra, si bllokimi, po ashtu edhe vjedhja, nuk janë kryer për shkak të shkeljes së ndonjë dispozite nga ana e ambasadores Adriana Hobdari”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Tiranës. Në lidhje me procedurën e transportimit të pasaportave me transport publik, Gjykata bën përgjegjëse Ministrinë e Jashtme për mungesë të kuadrit ligjor që duhet rregulluar. Pak ditë pas zbardhjes së këtij vendimi, ka ardhur dhe shkarkimi i ambasadores Ardiana Hobdari.

KARRIERA

Ambasadorja Hobdari, nëse shohim CV e saj, rezulton se ka mbajtur pozicione të rëndësishme drejtuese në Ministrinë e Jashtme që nga viti 1996. Hobdari gjithë jetën në Ministrinë e Jashtme, ndërsa nga viti 2002 ka qenë sekretare e parë e misionit të Shqipërisë në BE-në, ndërsa para se të shkonte në Athinë, në 2017, ka qenë ambasadore e Shqipërisë pranë Këshillit të Europës në Strasburg. Për shkak se në vitin 2020, një numri të konsiderueshëm shqiptarësh me banim në Greqi u mbaron pasaporta biometrike, ambasadorja Hobdari kishte kërkuar hapjen e një zyre të posaçme vetëm për aplikimet për pasaporta në qytetin e Pireut.

Por Ministria e Jashtme, e cila kishte ngritur padi penale ndaj ambasadores, nuk e miratoi këtë propozim, duke ofruar staf shtesë pranë ambasadës sonë në Athinë që do merrej me këtë procedurë. Por sapo stafi shkoi në kryeqytetin grek dhe nisi nga puna, Greqia hyri në karantinë dhe shërbimet u pezulluan, duke shtyrë në kohë dhe aplikimet për pasaporta. Në pamundësi për të ardhur në Shqipëri për pushime, ku mund edhe të aplikonin për pasaportat e reja, shumë emigrantë shqiptarë që jetojnë në Greqi u dyndën në dyert e ambasadës dhe konsullatave për të aplikuar.

Ky veprim krijoi shqetësim për autoritetet greke, për shkak se vendi është ende në zbatim të masave antiCovid, duke mos lejuar grumbullime në numër të qytetarëve dhe duke ndërhyrë. Kjo ka sjellë një situatë aspak pozitive për imazhin e vendit, ku shtetasit shqiptarë dynden dhe ankohen pranë sporteleve të ambasadës së tyre në Athinë apo Selanik.

KANDIDATURA

Ministri në Detyrë, Gent Cakaj, ka gjetur menjëherë zëvendësuesen e ambasadores Hobdari. Ajo është Luela Hajdaragaj, emrin e së cilës ia ka dërguar Presidentit Meta për dekretim. Burime nga Kuvendi thanë se kandidatura e re duhet të kalojë përmes procedurës parlamentare, të prezantimit të platformës së saj në krye të ambasadës, përpara Komisionit të Jashtëm. Por dërgimi i emrit të Hajdaragës te Presidenti mësohet se ka të bëjë me “të ngarkuar në detyrë” dhe jo për një kandidaturë në nivel ambasadoreje.

Luela Hajdaraga është vajza e ish-ministrit të Mbrojtjes, Luan Hajdaraga, e cila do të lërë postin e Koordinatores së Bashkëqeverisjes në Ministrinë e Europës dhe Punëve të Jashtme, për t’u bërë ambasadorja shqiptare në Greqi. Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, shkarkoi ambasadoren në Greqi, Ardiana Hobdari, së bashku me stafin, dhe tashmë i ka propozuar Presidentit Meta Luela Hajdaragën për ambasadore në Greqi.

Luela Hajdaraga ka ndjekur studimet e mesme dhe të larta në SHBA, këto të fundit për Psikologji, teksa në 2004- 2008 është diplomuar për marrëdhënie ndërkombëtare në universitetin shtetëror të New York Empire State College. Edhe specializimin e ka kryer për Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ajo ka filluar punë si menaxhere marketingu në Uashington D.C, më pas si ndihmëspedagoge, menaxhere etj.

Më tej, gjatë 2009-2011 është pajisur me një diplomë masteri për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin UBIS. Nga 2001-2003 ka punuar si ndihmësdrejtore në Editex Home Corporation në Uashington D.C. Me kthimin në Shqipëri, ajo ka qenë menaxhere në Qendrën për të Drejtat e Njeriut në Tiranë, më pas në disa kompani private dhe së fundmi me postin në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme./PANORAMA