Opinione PRAPË JU?

PRAPË JU?

 

Nga Viktor Malaj

Ju rrugaça e sallahana, Vagabonda, shakllabana, Rriqna t’ndyt, mikrobe t’kqij, Që të mjerës ksaj Shqypni, Thellë i kini hy n’mushkni, Pa dhimë gjakun tu ia pi, Po, deri kur bre batakçi? Bre coftina kalbë mbi dhe, Deri kur ju t’u tallë me ne, Do t’na qelbni fis e atdhe? – At Gjergj Fishta

Ju në shesh? Për ne? Për Shqipërinë, drejtësinë, lirinë, demokracinë? Faleminderit shumë! Ju admiroj. Ju dua. Ju jeni heronjtë e mi. Falënderoj Perëndinë që ju gjeti dhe ju solli këtu midis nesh për të na shpëtuar. Më në fund. Por, çuditem pse s’e bëri këtë gjë më parë dhe na la të vuanim këto gati 30 vjet nga disa bastardë dhe banditë që na e kanë mërzitur dhe neveritur jetën.

Ah! Jo. Kështu mendova kur dëgjova, por sa shpejt u zhgënjeva! Eh, teknologji ç’më bëre! U zhgënjeva kur pashë se atje, në shesh, në podium, në ekranet televizive ishin ata; po ata që kanë qenë, që kanë premtuar lumturinë tonë, progresin tonë, lirinë, drejtësinë dhe demokracinë vazhdimisht dhe pa ndërprerje qysh nga viti i largët 1990. Dhe ne i besuam dhe i provuam jo një herë, por disa herë. Ndërsa ata, me sjelljet e tyre, me moralin e tyre, me paaftësinë e tyre na patën detyruar t’i dëbonim nga pushteti, herë me votë dhe herë me dru kur votimin e vlerësonim të drejtën tonë legjitime po aq sa ata falsifikimin dhe dhunimin e vullnetit tonë e quanin një të drejtë të tyre hyjnore.

Oh, sa u dëshpërova kur pashë se mbrojtës të të drejtave tona janë vetëshpallur për të disatën herë dhunuesit tanë; se frymëzues dhe udhëheqës të kauzës popullore janë deklaruar njerëz pa kurrfarë idealesh të cilët, në rrugëtimin e historisë, e kanë provuar veten, disa herë se “idealet” e tyre janë xhepat e tyre, mbushja dhe përmbushja e të cilëve përbën synimin e tyre të vetëm dhe kënaqësinë e tyre sipërore; se gjeneralë të luftës për mbrojtjen e zgjedhjeve të lira janë vetëgraduar skenaristët dhe regjisorët e falsifikimit dhe dhunimit të zgjedhjeve të mëparshme; se nxjerrjen e vendit nga “kaosi” e kanë marrë përsipër autorët e kaosit të viteve 1990-1992 dhe 1997-1998; se heronj të luftës për drejtësi po vetëpropagandohen themeluesit e Kursit të Plepave, urdhëruesit e gjyqeve ndaj kundërshtarëve politikë dhe burgosësit e ish-kreut të opozitës, skenaristët e mbylljes së gjykimeve me procedura penale për krime të llahtarshme të kryera prej atyre vetë; se dekriminalizimin e politikës janë angazhuar ta bëjnë vetë kriminelët që duhej të ishin prej kohësh pas hekurave të burgut; se luftën për rritjen e dinjitetit të shqiptarëve e kanë shpallur nëpërkëmbësit më të mëdhenj të nderit dhe dinjitetit qytetar dhe kombëtar.

Vështrojini këto fytyra shumëfytyrëshe si nxihen sa herë iu rrezikohen interesat e veta pasurore dhe politike dhe si ngazëllehen kur shohin ëndrra me kolltukë, me tendera, koncesione dhe përqindje fitimprurëse nga bizneset politiko-financiare. Këta horra që janë provuar e stërprovuar në pushtet, që e nisën rrugëtimin e tyre në të njëjtin nivel me ne dhe sot ndodhen në stratosferë, me pasuri të tundshme e të patundshme, me vila luksoze dhe makina të shtrenjta, që pushimet dhe qejfet vetjake e familjare, me gra e me dashnore, i bëjnë atje ku shkojnë sheikët dhe miliarderët e botës; këta njerëz të paskrupuj për nga varfëria morale dhe arrogantë nga pasuria materiale, fëmijët e të cilëve “bëjnë” qindra mijëra euro në vit pa bërë kurrfarë punësh, nëse punë nuk quhet roli i sekserit, këta individë që, siç thoshte Ali Asllani “Të pabrek’ i gjeti dreka, milionerë i gjeti darka”, këta pra kanë dalë sot në sheshin e mejdanit vetëm për “të mirën” tonë dhe kanë shpallur se po luftojnë “për një qeveri të qytetarëve… për t’iu kthyer njerëzve pushtetin…”.

Hipokrizia e tyre është gjëmuese, guximi i tyre është sfidues dhe krenaria e tyre është poshtëruese. Por jo për qeverinë dhe kryeministrin aktual të cilët e meritojnë të zëvendësohen me njerëz më të përgjegjshëm dhe më të zotë. Protesta e pasanikëve milionerë me shpirt të zbrazur është sfidë dhe poshtërim për të gjithë popullin shqiptar, të cilin e gënjyen vazhdimisht, e dhunuan sa herë iu nevojitej, e nëpërkëmbën pamëshirshëm duke ia përvetësuar pasuritë kombëtare dhe pastaj, me karshillëk, duke ia shitur statusin e tyre të ri prej milionerësh faqekuq e barkmëdhenj si zotësi dhe arritje në konkurrencën e tregut të lirë. Të atij tregu ku fitues del horri, ku përpara bën hajduti, nën indiferencën, përkrahjen dhe aleancën e këtyre që sot hiqen si avokatët tanë.

Ata duan të na bëjnë të harrojmë krimet e panumërta që ka kryer Sali Berisha, çfarë ka thënë dhe si është sjellë ai përgjatë 27 vjetëve; ata kërkojnë që ne të besojmë se “ky është një fillim i ri “i zakonit të vjetër siç e patën shpallur edhe në 2005; se korrupsionin e lufton Lulzim Basha që u ka borxh shqiptarëve, më së paku, 230 milion euro të vërtetuara nga prokuroria dhe të mbyllura nga gjykata nën urdhrat e atit të tij politik; se lirinë “e vërtetë” e sjellin veç ata që vranë katër të pafajshëm në bulevard dhe kërcënuan se do vrisnin shumë të tjerë, nëse do “i afroheshin gardhit të zyrave” të tyre, ata që vranë 27 fukarenj në Gërdec dhe sot shpallen promotorë të sigurisë kombëtare, ata që kanë rrahur deputetë e gazetarë pse denonconin dhe kundërshtonin dhunën e tyre.

Për shqiptarët me dinjitet dhe me mend është poshtërim që kauzën e “zgjedhjeve të lira” ta shpallin ata që u bënë kryetarë bashkie me vota të falsifikuara hapur ditën për diell, ata që dhunuan masivisht votimet e 1996 dhe refuzuan të hapin kutitë e votimeve në 2009, pasi i kishin mbushur më parë me fletë votimi false dhe që, bash për këtë, diplomacia amerikane i quante “krerë të trukimit të zgjedhjeve “.

Unë e kuptoj nevojën për protesta dhe kaos të atyre që janë mësuar të rrinë kaluar, por që populli i uli në tokë; të atyre deputetëve dhe ish-zyrtarëve që e sollën Shqipërinë në atë gjendje që shumica e popullit t’i neveriste dhe braktiste; e kuptoj “revoltën”, zemërimin dhe dufin e të gjithë atyre që ndodhen atje jo për ne dhe për Shqipërinë, por me shpresë të bëhen doganierë, drejtorë, policë financiarë apo ndërtimorë dhe që pastaj të bëjnë ashtu siç kanë ditur dhe siç kanë bërë: të pasurohen paligjshmërisht dhe paligjshmërinë ta bëjnë mënyrën kryesore dhe më të leverdishme të sjelljes së popullit shqiptar, për të keqen e tij dhe të së ardhmes të vendit. Ata janë në të drejtën e tyre që është e drejta e horrave. Është ky numër dëshpërimisht i madh jeniçerësh politikë që e kanë frymëzuar, përkrahur dhe mbrojtur Kalorësin e Rrumpallës Shqiptare qysh nga 1990 e këtej, në të gjithë sjelljen e tij mesjetare dhe aktet e tij kriminale. Ata e kanë bërë këtë dhe janë të gatshëm ta bëjnë sërish, jo nga dashuria për Kalorësin, por sepse kanë të njëjtin konstitucion moral si ai, kanë të njëjtin mjerim intelektual dhe të njëjtin kalbëzim të ndërgjegjes shoqërore dhe përgjegjësisë kombëtare si ai. Është kjo shpurë, ndërgjegjja e të cilëve mban erën e gropave të jashtëqitjeve njerëzore që, ndërsa s’pushojnë as ditë as natë me mallkimet e tyre për krime të vërteta dhe të sajuara të regjimit të para 1990, kanë milituar vullnetarisht dhe me pasion në mbrojtjen e krimeve të Sali Berishës, duke na dëshmuar kështu se mentalitetin, ndërgjegjen dhe moralin e tyre nuk i lidh asgjë me ato që propagandojnë zhurmshëm prej gati tre dhjetëvjeçarësh për t’i shkelur dhunshëm në gjithë gjatësinë e kësaj kohe.

Unë i mirëkuptoj dhe ndiej dhimbje për shumë qytetarë shqiptarë që kanë shumë të drejtë të protestojnë për shkak të gjendjes së tyre ekonomike dhe padrejtësive që ndeshin në jetën e përditshme, por ndiej, gjithashtu, çudi dhe neveri për mendjelehtësinë me të cilën besojnë se ndryshimin e gjendjes duhet t’ua besojnë krijuesve të saj, atyre që ua patën besuar disa herë dhe po kaq herë i gënjyen.

Ndiej neveri ndaj skotës së publicistëve të cilët, nga hatërmbetjet që kanë, qoftë dhe me të drejtë, ndaj qeverisë aktuale, bëhen zëdhënës dhe avokatë të një grushti njerëzish që nuk kanë lënë gjë pa bërë gjatë gjithë qeverisjeve dhe sundimeve të tyre të përsëritura. Ndiej pështirosje ndaj disa Lehësve të cilët, ndërsa shkruajnë e botojnë libra ku tregojnë rrahjet, presionet, torturat, sakatimet dhe burgosjet e gazetarëve si dhe djegien e redaksisë së gazetës që drejtonin prej këtyre që kanë dalë sot në shesh dhe që bota perëndimore i cilësonte “regjim gangsterësh” dhe “ordinerë të rrezikshëm”, tani me të njëjtën gazetë na bëjnë thirrje t’iu besojmë të ardhmen dhe bëjnë rolin e maskarait provincial pa nder e ideal, pa fe dhe atdhe. Për çfarë? Për “një viç”, siç thuhej në filmin “Operacioni Zjarri”, thjesht dhe vetëm pse pushteti aktual nuk iu ka akorduar ndonjë tender apo privilegj të kërkuar.

Unë e dëshiroj shumë ndërrimin e qeverisjes aktuale me një tjetër të panjohur, të  paprovuar, të papërlyer me besimin se do jetë më e aftë. Por midis “dy bajgave” që kemi mundur të krijojmë preferoj ata që nuk kanë vrarë qytetarët, që nuk kanë dhuruar asnjë metër katror det fqinjëve; ata që janë përpjekur të krijojnë sadopak shtet nëpërmjet ligjit dhe rregullit, përpara atyre që, kanë vrarë 30 qytetarë, që kanë dhuruar shtetit fqinj 355 km2 sipërfaqe ujore, që kanë sakrifikuar rregullin dhe shtetin për ta pasur mirë me votuesit; preferoj ata që kanë bërë sadopak përpjekje për miratimin e Reformës në Drejtësi, përpara atyre që nuk lanë gur pa luajtur për ta penguar e sabotuar atë; mbështesë ata që s’i ka akuzuar ende asnjë organ drejtësie për korrupsion dhe kurrsesi ata që u thirrën dhe akuzuan nga drejtësia dhe iu shmangën asaj duke mos u paraqitur dhe, pastaj, urdhëruan gjyqtarët ta mbyllin “për tejkalim afatesh”; zgjedh ata që bashkësia ndërkombëtare s’i ka akuzuar kurrë për falsifikim apo dhunim zgjedhjesh, por kurrsesi ata që populli dhe bota i njeh si dhunues të përhershëm të tyre; preferoj më parë ata që për tre vjet qeverisje iu dhanë të përsekutuarve 5-6 këste dëmshpërblim në vend të atyre që për 13 vjet sundim iu dhanë vetëm një këst.

Kam neveri ndaj koncesioneve dhe asfare respekt për oligarkët, por sistemi kapitalist është sistemi i sundimit të oligarkive, kudo pavarësisht mashtrimeve dhe përrallave për “pushtet të popullit”. Këta që skërmiten sot kundër oligarkisë nuk kanë hallin e popullit, por ndiejnë xhelozi përse oligarkët me të cilët flinin deri dje kanë kërcyer në krevatin e pushtetit aktual, një veprim dhe sjellje që ka ndodhur e do të ndodhë, pavarësisht kush është në qeverisje, sepse “qeverisësit” realë janë pikërisht ata, zotëruesit e kapitalit.

Ndiej neveri dhe e urrej krimin, por nëse qeverisja aktuale mund të akuzohet sadopak për lëshime ndaj krimit, ata që janë në shesh, kupola organizuese e protestës, janë vetë krimi. Madje, vetëm një mendje e paralizuar nuk e kupton se protesta dhe qëndrimi në shesh kanë si synim shpëtimin e një grushti banditësh politikë nga ndëshkimet ligjore dhe nga pasojat e ligjit të hapjes së dosjeve. Përpjekjet për t’i shpëtuar ndëshkimeve të ardhshme juridike kryetari mesjetar i bandës i ka shpallur si “revolucion demokratik” që e ka kërkuar prej kohësh. Ironi therëse, apo jo? Sheshin ku patën vrarë katër qytetarë të pafajshëm  vetë varsësit e kanë pagëzuar ” Sheshi i Lirisë “. Cinizëm i pashoq dhe shumë domethënës. Ata që janë në krye të protestës dhe që kanë vendosur braktisjen e parlamentit janë ata që bënë çmos të pengonin miratimin e Reformës në Drejtësi dhe të vononin realizimin e saj dhe, meqë s’ia arritën, tani kërkojnë krijimin e kaosit për të ardhur në pushtet me anë të rrugës dhe, pastaj, për ta devijuar reformën sipas interesave të tyre dhe jo të shqiptarëve. Nuk ka çudi që edhe ndonjë aleat i tyre në stërkëmbësit e reformës të dalë dhe të bëjë “burrin e mirë” që “me qetësi dhe dashuri”, për hir “të paqes dhe stabilitetit, të konsensusit dhe reformave…” të shpallë largimin nga qeverisja për t’i shërbyer vetes në kundërshtim me interesat e popullit shqiptar. Pretendimet e ndonjë ish-drejtuesi fytyrësalduar të propagandës gebelsiane të regjimeve të Berishës se “Protesta nuk është për të marrë pushtetin në tavolinë, por për qeveri teknike” është një mashtrim sofist pasi kryeministri dhe qeveria largohen vetëm me votë. Madje, vetë kërkesa për largimin e kryeministrit legjitim katër muaj përpara zgjedhjeve është në kundërshtim me normat demokratike që këta farë burrash na i shesin si fryte të përpjekjeve të tyre. Pretendimi se nuk i besojnë kryeministrit për të shkuar në zgjedhje është një alibi dhe krejt pa baza serioze morale dhe parimore sepse, po të jetësonim këtë mentalitet, praktikisht do të duhej që çdo kryeministër të largohej pak muaj përpara zgjedhjeve. Dhe njeriu me dy pare mend do pyeste: Po këtyre halbakëve kokoroçë që kanë falsifikuar e dhunuar zgjedhjet disa herë kush do iu besonte?

Protesta e sotme false nuk ka asnjë krahasim me protestën e vitit 2009, sepse ajo bëhej për diçka që besohej se kishte ndodhur dhe vërtetimi ose rrëzimi i saj ishte i thjeshtë, mjaftonte të hapeshin kutitë e votimit. Kurse kjo e sotmja bëhet për diçka që s’ka ndodhur ende, por që dhunuesit e herëpashershëm të së kaluarës na “garantojnë” se do të ndodhë. Protesta kundër diçkaje që ndodhet vetëm në mendjen tënde djallëzore është falsitet politik, sjellje amorale dhe aksion antidemokratik.

Pjesa e përgjegjshme e popullit shqiptar që s’pranon të keqpërdoret për interesat e një klike kriminale duhet të ndërgjegjësohet për dredhitë e atyre që i kanë mashtruar pareshtur dhe duke sjellë ndërmend vargjet e mësipërme të Gjergj Fishtës t’iu thotë: Prapë ju?! Po, ne ju njohim mirë ju dhe këta që janë në pushtet. Mos na i trazoni më tutje jetët tona dhe mos pengoni përparimin tonë nga padurimi juaj për të pritur ditën e zgjedhjeve dhe nga dëshpërimi juaj për mundësitë e pakta për ta marrë pushtetin me votat tona, për aq kohë sa kini vendosur të mos ndryshoni moralin dhe sjelljen por të vini maska për t’u dukur tjetërkush!

Qeveria duhet të vazhdojë punën pa lëkundje dhe me më shumë përgjegjësi. Lëshimet antidemokratike ndaj bandës organizuese të protestës do të ishin me pasoja historike kombëtare, një tradhti e interesit kombëtar dhe fyerje e gjithë elektoratit që i ka sjellë aty. Një lëshim i tillë do ia hiqte çfarëdo të drejte morale dhe politike PS-së dhe kryeministrit për të kërkuar votëbesimin për një mandat të dytë. Rezistenca do të jetë e fortë por, bash për këtë, ka ardhur koha që dikush t’i thotë ndal bandës spekulative dhe shtetrrënuese të këtyre 27 viteve. Përndryshe Shqipëria dhe shqiptarët do të vazhdojnë të enden pa fund dhe pa shpresë në kërkim të rrugës drejt së ardhmes që aspirojnë dhe meritojnë.

Bashkësia Ndërkombëtare, BE dhe SHBA, duhet të heqin dorë përfundimisht nga praktika “hiq e mos këput” dhe mentaliteti i sakrifikimit të vullnetit të popullit shqiptar për hir të stabilitetit politik që e kërcënon vazhdimisht një bandë gangsterësh. E ardhmja e popullit shqiptar dhe Reforma e Drejtësisë, e iniciuar prej tyre, do të pësojnë fiasko nëse kjo bashkësi ndërkombëtare nuk i damkos një herë e mirë, haptas dhe qartë, përpara popullit shqiptar penguesit e vërtetë të përparimit, bashkë me qëllimet e tyre reale. Ose tani ose kurrë. Dështimi i popullit shqiptar do të ishte edhe dështimi i miqve të tij, tek të cilët ai beson. 27 vjet ngurrime, tërheqje dhe lëshime ndaj gangsterëve politikë kanë qenë jo vetëm të dëmshëm, por edhe të pafalshëm. Me të drejtë shumica e shqiptarëve kanë filluar të vënë në dyshim shkaqet e këtyre qëndrimeve të padenja të perëndimorëve. Ose me popullin shqiptar dhe të ardhmen e tij ose me banditët dhe penguesit e përparimit kombëtar.

Botuar në Dita