Kulturë Preku zemrat e njerëzve në gjithë globin, “ET” e Spielberg-ut shitet një...

Preku zemrat e njerëzve në gjithë globin, “ET” e Spielberg-ut shitet një shifër rekord

Modeli origjinal mekatronik i alienit të vogël nga klasiku fantastiko-shkencor i Steven Spielberg-ut “ET the Extra-Terrestrial” është shitur gjatë fundjavës për një vlerë marramendëse prej 2.56 milionë dollarësh.

Modeli, i cili është krijuar nga mjeshtri i efekteve speciale, Carlo Rambaldi në vitin 1981, doli në ankand bashkë me 1300 artikuj të tjerë nga filmat e famshëm, si dorezat e boksit të mbajtura nga Robert De Niro në filmin “Raging Bull” apo vareja nga filmi “Thor”.

Modeli u krijua nga Carlo Rambaldi ne 1981

“E cilësuar si një kryevepër inxhinierike, kjo figurë animatronike e veçantë, me 85 pika artikulimi, daton para ardhjes së efekteve CGI (Imazhe Grafike Kompjuterike) në film dhe është ideuar, zhvilluar dhe projektuar në vitin 1981,” thuhej në përshkrimin e ET.

“Alieni” me sy të mëdhenj, lëvizjet e të cilit përfshinin shprehje të fytyrës, lëvizje të qafës, si dhe lëvizjen e famshme të gishtit tregues të ndezur, u bë realitet nga një ekip animatorësh duke përdorur elemente elektronike dhe mekanike.

Sipas listës së ankandit, Spielberg e përshkroi modelin ET si “mrekullinë e tetë të botës së filmit”.

“ET the Extra-Terrestrial”, me aktorë Henry Thomas dhe Drew Barrymore, tregonte historinë e një alieni miqësor i cili tentoi të kthehej në shtëpi pasi mbeti në një lagje periferike të SHBA-së.

Artikuj të tjerë të famshëm gjithashtu arritën çmime të larta në ankand. Shkopi që aktori Charlton Heston përdori për të ndarë Detin e Kuq në filmin “The Ten Commandments” u shit për 448,000 dollarë. Ndërsa fshesa e Harry Potter Nimbus 2000 u shit për 128,000 dollarë.