Bota Presidenca e re e BE: Më shumë projekte për Ballkanin

Presidenca e re e BE: Më shumë projekte për Ballkanin

Bullgaria do të kërkojë më shumë projekte infrastrukturore dhe energjetike për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor të afrohen me Bashkimin Europian, kur të marrë presidencën e radhës së BE në muajin janar.

Lilyana Pavlova ministrja përgjegjëse per presidencën bullgare të BE, tha se bashkëpunimi me i ngushtë me Ballkanin Perëndimor, përfshirë për çështje si ajo e emigracionit dhe sigurisë, ishte thelbësor për stabilitetin dhe paqen e Unionit.

Paqja, qetësia dhe e ardhmja e BE-së, kalojnë përmes Ballkanit Perëndimor, tha ajo në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters.

Integrimi i tyre është një proces i natyrshëm. Tani është koha e duhur dhe ne nuk duhet ta humbim këtë moment”, tha Lilyana Pavlova.

Megjithatë pjesëtarja e partisë së kryeministrit Boiko Borisov, Gerb, shtoi se Bullgaria, e cila ju bashkua be-se me fqinjën e saj Rumaninë në vitin 2007, nuk mund të premtojë anëtarësim më të shpejte të vendeve ballkanike.

“Ne nuk duam të japim shpresa të rreme. Por kur t’i mbështesim ata me projekte e investime, kur të ndjehen pjesë e familjes europiane, kjo është në realitet perspektiva europiane për të cilën flasim”, deklaroi ministrja bullgare.

Në 17 maj Bullgaria do të organizojë samitin mes BE e vendeve të Ballkanit Perëndimor, që Pavlova shpreson se do të rezultojë në marrëveshje konkrete për transportin, energjinë dhe lidhjet dixhitale mes bllokut e këtij rajoni.