Politika Presidenca publikon emrat: Këta 10 aplikantët për vakancën në Kushtetuese

Presidenca publikon emrat: Këta 10 aplikantët për vakancën në Kushtetuese

Presidenti Ilir Meta ka publikuar sot listën e aplikantëve për vakancën e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese. Në një njoftim për mediat, Presidenca bën me dije se shpallja e vakancës ka qenë e publikuar për 20 ditë radhazi në faqen zyrtare të internetit të Institucionit, si dhe në shtypin e shkruar, në Fletoren Zyrtare, në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare, si dhe në gjithë mjetet e tjera të informimit publik përfshi dhe mediat audiovizive.

Pas përfundimit të afatit të rishpalljes për aplikim për këtë vend vakant rezulton se për plotësimin e këtij vendi vakant kanë aplikuar dhe kanë shprehur interes: Aleksadër Toma, Altin Binaj, Aldona Sylaj, Ardita Buna (Alsula), Eugen Papandile, Ilir Haznedari, Klajdi Mone, Orkida Totojani, Përparim Kalo dhe Shaqir Hasanaj.

Lista e aplikantëve të mësipërm, së bashku me dokumentacionin e dorëzuar prej tyre, do t’i përcillet menjëherë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi me qëllim që ky organ të vijojë po menjëherë procesin për verifikimin e të gjitha kandidaturave për plotësimin e këtij vendi vakant, sipas ligjit.

Ndërkohë Presidenti i rikujton KED-së se, për plotësimin e vendit vakant të ish-gjyqtarit Besnik Muçi, që aktualisht KED ka në proces “të punojë pa ndërprerje, që të përfundojë sa më parë e sipas ligjit, shqyrtimin e kandidaturave; të angazhohet me të gjitha kapacitetet për vlerësimin dhe pikëzimin e kandidatëve të cilëve u lejohet kandidimi; dhe t`i propozojë Presidentit listën e kandidatëve për plotësimin e kësaj vakance, sipas Kushtetutës dhe ligjit”.