Sport Presidenti i FSHF-së, Duka: Rënia e Tiranës nuk është dramë…

Presidenti i FSHF-së, Duka: Rënia e Tiranës nuk është dramë…

Një nga çështjet e trajtuara nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në daljen e sotme para mediave ishte edhe rënia e Tiranës një kategori më poshtë.

Nuk flitet për ndryshim strukture, sepse kjo gjë është e parashikuar në rregullore si dhe kur ndodh, por kreu i futbollit shqiptar ka vetëm keqardhje, asgjë më shumë: “Tirana është një klub me shumë histori. Fatkeqësisht u rendit e parafundit dhe mua më vjen shumë keq si president, por gjithashtu nuk e quaj ndonjë dramë.

Pas një edicioni mund të rikthehet në elitë, kam besim se presidenti Halili do t’ia dalë, edhe pse mes vështirësish e pengesash. Mund të ndodhte që të binte Vllaznia dhe do të ishte njësoj. Tirana të bëjë terapi vetë, të organizohet, sepse dihen problemet që ka. Kam besim se presidenti Halili do dijë ta rikthejë klubin bardheblu në nivele të larta.

Një vit do të kalojë shpejt dhe uroj që Tirana të rikthehet si Partizani, Juventusi apo Zyrihu. Nuk ndjej përgjegjësi, përgjegjësinë e kanë vetë. Ndeshjet duhet t’i fitojnë ata, nuk mund t’ua fitojmë ne. Sa i takon finales së Kupës së Shqipërisë, shpresoj shumë që ta fitojë Tirana dhe të shkojë në Kupat e Europës.

Unë jam me viktimat dhe, meqë Tirana është viktimë, dua ta fitojë këtë trofe. Pse jo, të jetë në Kupat e Europës, ashtu siç ishte edhe Zyrihu, që merrte pjesë në “Europa League”, edhe pse ra nga Superliga e Zvicrës.”