Kryesore Presidenti i Polonisë kundër Macron: Pa Ballkanin Perëndimor, Europa nuk do të...

Presidenti i Polonisë kundër Macron: Pa Ballkanin Perëndimor, Europa nuk do të marrë frymë lirisht

Zgjerimi i BE-së nuk duhet të shtyhet, deklaroi sot presidenti polak, Andrzej Duda gjatë samitit për Ballkanin Perëndimor, që po zhvillohet në Poznan.

”Polonia nuk e pranon një situatë ku vendet e Ballkanit Perëndimor marrin pjesë në një garë ku finishi është i padukshëm”, theksoi ai.

”Jemi të detyruar të japim një datë të qartë në vend të deklaratave verbale”, shtoi Duda.

”Ne ia kemi borxh këtë vendeve të Europës Juglindore… Ne nuk duhet të humbim kohë”, shtoi ai.

”Pa integrimin e Ballkanit Perëndimor, Europa nuk do të marrë frymë lirisht”, deklaroi ai.

Duda theksoi se Polonia mbështeti politikën e zgjerimit të BE-së pasi ajo mbështeti një Europe solidare dhe transparente në vend të një Evrope me paragjykimeve të ndërsjella.

”Angazhimi i Polonisë ndaj Procesit të Berlinit vjen nga bindja e thellë e saj për rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për stabilitetin dhe zhvillimin e Europës”, theksoi ai.

“Ballkani është një pjesë integrale e Europës duke pasur parasysh pozicionin e tij gjeografik, kulturor dhe historik”, tha Duda.

“Pa integrimin e Ballkanit Perëndimor, së bashku me traditat e bukura dhe kulturat e ndryshme, Europa nuk do të marrë frymë lirisht. Jam i vetëdijshëm për fjalët që po them, duke qenë president i një vendi që përdor fondet e BE-së dhe që do të të jetë i detyruar të ndajë këto burime me anëtarët e rinj në të ardhmen”, tha ai.

“Polonia është një vend që mbështet politikën e zgjerimit të BE pasi mbështet një Europë solidare dhe transparente në vend të një Europe të paragjykimeve të ndërsjella, që  kufizohet vetëm në interesa dhe frikëra të veçanta”, deklaroi presidenti polak.

”Polonia sheh tek Procesi i Berlinit një format shumë të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit dhe dialogut, në kuadër të zgjerimit të mëtejshëm të Bashkimit Europian. Ne jemi të angazhuar në këtë iniciativë, që i jep një perspektivë të qartë europiane Ballkanit Perëndimor, duke nxitur njëkohësisht stabilitet dhe zhvillim në të gjithë Europën”, tha ai.

”Të gjithë ne polakët e mbajmë mend mirë vitin 1990, e rrëzimin e sistemit komunist. Procesi i integrimit euroatlantik, praktikisht ndryshoi të gjithë aspektet e jetës sonë dhe u shndërrua në katalizatorin më të mirë për reforma kyçe, ndonëse shpesh të dhimbshme e jo popullore. Ishte vizioni, perspektiva e një të ardhme europiane, ajo që bëri të mundur këtë ndryshim që ndryshoi jo vetëm Poloninë, por të gjithë rajonet e shteteve të unionit.

Për të gjithë këto arsye, dëshirojmë që e njëjta perspektivë të ofrohet edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor. Më saktë, të gjithë këtyre vendeve që aspirojnë të jenë një ditë pjesë e Unionit Europian. Polonia është kundër skepticizmit, që shpesh herë vërehet në Europën Perëndimore.

Ballkani është pjesë integrale e Europës në aspektin gjeografik, kulturor, e pa dyshim, historik. Polonia, ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një vend që mbështet zgjerimin e mëtejshëm të Unionit, një vend që mbështet solidaritetin dhe hapjen e BE, e jo Europën e dyerve të mbyllura, e të mekanizmave që mbështesin vetëm interesa të caktuara. Nuk është kjo Europa që ne duam!

Sipas Presidentit të Bashkimit Europian, ne si komunitet duhet të japim shembull që projekti Europian është i gjallë, që është tërheqës, që ka një të ardhme të vërtetë dhe që ne jemi të gatshëm të pranojmë vende të tjera anëtare. Kjo duhet të jetë edhe ambicia e autoriteteve të reja europiane, çështja e zgjerimit duhet të përfshihet në mënyrë të pandashme nga vizioni që përcakton të ardhmen e përbashkët të Europës sonë.

Për fat të keq, jo të gjithë partnerët tanë europianë e shohin në këtë formë. Jam vërtet i keqardhur dhe i zhgënjyer rreth vendimit për të shtyrë përsëri hapjen e negociatave të anëtarësimit me dy vende kandidate, në këtë rast Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

I kujtoj Komisionit Europian që ai vetë ka vlerësuar pozitivisht reformat e ndërmarra në të dy këto vende dhe ai vetë ka rekomanduar hapjen e negociatave. Të dy vendet kanë përmbushur kushtet e tyre, përfshi një hap radikal si ndryshimi i emrit të vetë shtetit, në rastin e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Duda.