Kryesore Presidenti Meta: 13 Tetori, data e re e zgjedhjeve

Presidenti Meta: 13 Tetori, data e re e zgjedhjeve

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar një datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve vendore, atë të 13 Tetorit.

Në një konferencë të veçantë për shtyp, kreu i shtetit e mori këtë vendim pas takimeve të shumta që zhvilloi sot me aktorët politikë në vend dhe ambasadorë të vendeve të Bashkimit Europian.

Presidenti bëri me dije se vendimi i tij për caktimin e datës 13 Tetor mbështet mbi dy argumente.

“Sepse është dita më e shpejtë për të organizuar zgjedhje të përgjithshme vendore gjithëpërfshirëse, jo vetëm përsa i takon vullnetit të gjithë atyre që dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje, por njëkohësisht edhe që dëshirojnë sipas të gjithave afateve ligjore dhe proceduriale të jenë të përfshirë në një administrim gjithëpërfshirës të procesit zgjedhor. Kjo është arsyeja e parë.

Arsyeja e dytë, sikurse e kam nënvizuar edhe në 8 Qershor kur e bëra publik vendimin për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit, një nga arsyet kryesore ka të bëjë me garantimin e vazhdimësisë së integrimit europian, të mos shkëputjes së Shqipërisë nga Maqedonia Veriore lidhur me momentin e çeljes së negociatave”, theksoi Presidenti Ilir Meta.