Kryesore Presidenti Meta kallëzon penalisht kreun e KED, Ardian Dvoranin

Presidenti Meta kallëzon penalisht kreun e KED, Ardian Dvoranin

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka njoftuar se do të kallëzojë penalisht kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Kallëzimi vjen pas situatës së krijuar me Gjykatën Kushtetuese.

Meta e akuzon Dvoranin për dy vepra penale: “shpërdorim i detyrës” dhe “përvetësim i titullit apo i detyrës shtetërore”.

“Ju bëj të ditur vendimin tim si President i Republikës dhe kryetar i shtetit për të paraqitur të hënën kallëzim penal kundër zotit Ardian Dvorani, kryetar i KED me adresë Gjykata e Lartë Tiranë. Unë presidenti i republikës dhe kryetari i shtetit e akuzoj Ardian Dvoranin për këto vepra penale. 1-Shpërdorimit të detyrës. 2. Përvetësim i titullit apo detyrës shtetërore”, deklaroi Meta në konferencën e jashtëzakonshme për mediat.

Në kallëzimin penal ndaj Dvoranit Meta argumenton:

“Të dashur prokurorë, Presidenti ka ndjekur me vijimësi dhe me shumë shqetësim prej më shumë se 2 vjetësh procesin e funksionimit të KED dhe ecurinë e procedurave për verifikimin dhe vlerësimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë. Është konstatuar se përgjatë veprimtarisë së KED janë konstatuar disa shkelje të rënda përgjatë ushtrimit të detyrës nga kreu i KED, Ardian Dvorani që kapërcen kufirin e shkeljes disiplinore, por hyjnë drejtpërdrejtë në sjellje të karakterit që është e detyrueshme procedimi penal.

Veprimet dhe mosveprimet e Dvoranit kanë krijuar pasojë shumë të rëndë që është cënimi i legjitimitetit të gjithë procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Kushtetueses dhe që kanë krijuar një debat të fortë publik që sjell pasoja të pariparueshme për mirëfunksinimin e sistemit të drejtësisë dhe provokon uljen e besimit të publikut te gjykata Kushtetuese dhe vetë implementimi i suksesshëm i reformës në sistemin e drejtësisë.

Presidenti vlerëson se këto veprime dhe mosveprime përbëjnë jo vetëm shkelje disiplinore por edhe vepra të qarta penale. Presidenti parashtron këtë kallzim penal para organit të akuzës me qëllim fillimin e hetimeve ndaj Dvoranit. Nga tërësia e rrethanave vlerësohet se përgjatë detyrës së kryetarit të KED, me dashje ka shpërdoruar funksionin publik që i është ngarkuar dhe ka marrë përsipër të realizojë një akt mafioz”.