Ekonomi Presidenti Meta propozon Petraq Milon për kreun e KLSH

Presidenti Meta propozon Petraq Milon për kreun e KLSH

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka vendosur t’i propozojë  Kuvendit, Petraq Milon për kryetar të KLSH-së. Milo është kandidati i tretë pas refuzimit që Kuvendi i bëri Vitore Tushës dhe Bahri Shaqirit.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se “Petraq Milo është një personalitet me një eksperiencë të jashtëzakonshme, brenda dhe jashtë vendit në fushën e financave, të auditit, të bankave dhe të ekonomisë në tërësi, gjithashtu me një kontribut të spikatur në drejtimin e institucioneve financiare, fiskale e bankare në Kosovë.”

Presidenti Meta duke qenë i bindur në drejtësinë e vendimit të Tij, pasi ka lexuar me shumë vëmendje sugjerimet e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë lidhur me profilin profesional që duhet të ketë kandidati për kryetar i KLSH-së, nuk gjeti dot një kandidat më të përshtatshëm dhe me kaq eksperiencë të gjithanshme, si Prof. Dok. Petraq Milo, për të përmbushur me profesionalizëm dhe dinjitet këtë detyrë tepër të rëndësishme kushtetuese”.

Propozimi i Presidentit Meta do t’i dorëzohet Kuvendit brenda ditës së sotme.

“Me besimin e plotë se do ta shqyrtojë këtë kandidaturë brenda këtij sesioni parlamentar, me objektivitet dhe përgjegjshmëri, që KLSH të funksionojë në mënyrë plotësisht kushtetuese e ligjore”, mbyllet njoftimi i Presidencës.

Presidenti Meta falënderoi kandidatët e mëparshëm të propozuar prej tij për postin e kryetarit të KLSH-së, znj.Vitore Tusha dhe z.Bahri Shaqiri, të cilët u refuzuan nga Kuvendi.