Sport Presidenti Meta vlerëson tre figura të shquara të sportit nga Elbasani

Presidenti Meta vlerëson tre figura të shquara të sportit nga Elbasani

“Tre shembuj të përhershëm frymëzimi për edukimin e brezave të rinj me vlerat më të mira sportive e qytetare, që Elbasani duhet të vazhdojë t’i ndjekë, për të gjeneruar talente dhe suksese të reja”.

Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar ish-volejbollistin Hysen Domin e ish-futbollistët Mihal Gjika e Ferdinand Lleshi, tre ikona të sportit elbasanas.

“Në mirënjohje për rezultatet e shkëlqyera të arritura, duke kontribuar denjësisht për zhvillimin cilësor të sportit shqiptar, lartësuar emrin e skuadrave të tyre dhe të ngjyrave kuqezi në arenën ndërkombëtare, pata nderin të vlerësoj tre personalitete të shquara sportive, që Elbasani ja dha Shqipërisë, ish-volejbollistin elitar Hysen Domi dhe dy ish-futbollistët e jashtëzakonshëm, Mihal Gjika e Ferdinand Lleshi.

Titullar i Ekipit Kombëtar, Hysen Domi i dha jetë volejbollit shqiptar, duke zgjedhur udhën e sfidave drejt mjeshtërisë sportive, për të mbetur një model i patjetërsueshëm sportiv, shembull i korrektësisë dhe i qytetarisë.

Të paharruara do të mbeten sukseset e futbollistit energjik dhe me autoritet në çdo ndeshje, mbrojtësit legjendar të “Labinotit”, Mihal Gjika, fituesit të çdo dylyftimi në fushën e blertë.

Ferdinand Lleshi, qendërmbrojtësi dhe mesfushori i “Labinotit” është një tjetër ikonë e paharruar e futbollit elbasanas, i cili arriti ta nxirrte kampion ekipin e tij në vitin 1984, falë mjeshtërisë së tij të jashtëzakonshme, që dhe sot kujtohet me shumë emocion”, mbyllet postimi i Metës.