Bota Presidenti Trump konfirmon vrasjen e djalit të Osama bin Ladenit

Presidenti Trump konfirmon vrasjen e djalit të Osama bin Ladenit

Shtëpia e Bardhë thotë se Hamza bin Laden, djali i udhëheqësit të ndjerë të al-Kaidës që ishte bërë një figurë gjithnjë e më e shquar në organizatën terroriste, është vrarë në një operacion amerikan kundër terrorizmit në rajonin mes Afganistanit dhe Pakistanit.

Presidenti Trump konfirmoi sot vrasjen e Hamza bin Ladenit, por nuk dha hollësi të tjera, të tilla si, kur u vra ai apo si e konfirmuan Shtetet e Bashkuara vdekjen e tij.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet se vdekja e Hamza bin Ladenit “jo vetëm që e privon al-Kaidën nga aftësi të rëndësishme drejtuese dhe lidhje simbolike me babanë e tij, por minon aktivitete të rëndësishme operative të grupit”.

Si udhëheqësi i al-Kaidës, Osama bin Laden dhe të tjerë komplotuan sulmet e 11 shtatorit, 2001. Ai u vra nga forcat speciale të marinës amerikane në një bastisje në një shtëpi në Abbottabad, të Pakistanit, në vitin 2011.