Kulturë Primo Shllaku: Vazhdon ende censura ndaj Arshi Pipës

Primo Shllaku: Vazhdon ende censura ndaj Arshi Pipës

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit kremton 100-vjetorin e lindjes së Arshi Pipës, duke bërë bashkë studiues dhe njohës të mirë të figurës së tij.

Takimi u përshëndet edhe nga nipi i Arshi Pipës, Plator Kalakula, që ndau me të pranishmit momente të jetës së Pipës.

Alda Bardhyli, drejtoreshë e Qendrës së Librit dhe Leximit çmoi figurën e Pipës dhe mendimin e tij kritik në periudhën e soc-realizmit.

“Arshi Pipa krijoi një shkollë të mendimit dhe kritikës letrare, por ajo që shihet si vlerë e Pipës është fakti që krijoi një lloj tjetër modeli të kritikës letrare në kushtet e soc-realizmit. Kemi dy lloj kritikash, një mënyrë sesi kritika i shikonte veprat e asaj periudhe dhe tjetra ishte mënyra se si Pipa, një autor që vinte nga një botë e lirë e pa dhe e studioi letërsinë shqipe”, tha Alda Bardhyli, drejtoreshë e Qendrës së Librit.

Studiuesi Primo Shllaku sheh akoma një censurë ndaj figurës së Pipës.

“Arshi Pipa është i vonuar dhe vazhdon një censurë ndaj tij. Ai ka trazuar traditën e re dhe të vjetër të kritikës dhe studimeve shqiptare”.

Leka Ndoja vë theksin te aftësitë e Pipës për t’u integruar në kultura të mëdha.

“Vëllimi poetik ‘Autobiografia’ shënon tranzicionin e shkrimtarit shqiptar nga gjuha shqipe në një kulturë më të gjera”, thotë studiuesi Leka Ndoja.

Botuesja Irena Buzi vlerëson figurën e Pipës si një kritik i rrallë i letrave shqipe dhe kujton një të veçantë të tij që janë shkrimet nëpër letra cigareje.

“Një vepër monumentale ishte libri i tij në një ekspozitë arti. Një ngjarje të atillë të kujton se si Jul Cezari do kalonte nga një breg në një breg tjetër. Me një dorë mbante letrën e shkruar dhe me një dorë bënte notin vetëm për mos ta lagur letrën ose si veprat e arta ku është shkruar Epi i Gilgameshit. Pipa për mua ka qenë një model i jashtëzakonshëm që më ka edukuar si studiues dhe si kritik arti, si filozof dhe si poet”, u shpreh botuesja Buzi.

Të tjerë studiues që çmuan figurën e Pipës ishin Luljeta Prenci dhe Hektor Çiftja.