Bota Princ Harry flet për largimin: Nuk kishim zgjidhje tjetër

Princ Harry flet për largimin: Nuk kishim zgjidhje tjetër

Duka i Sussex ka folur më në fund publikisht lidhur me vendimin për t’u larguar nga familja mbretërore.

Ai thotë se “në të vërtetë nuk kishte asnjë mundësi tjetër”. Siç shkruan BBC, princi Harry tha se ai dhe Meghan kishin shpresuar që do të vazhdojnë t’i shërbejnë Mbretëreshës, por pa fonde publike.

“Fatkeqësisht, kjo nuk ishte e mundur”– tha ai. Por princi tha se ai dëshironte ta bënte të qartë se ai dhe Meghan “nuk po largoheshin”.

Mbretëria e Bashkuar është shtëpia ime dhe një vend që unë e dua, që kurrë nuk do të ndryshojë”– tha ai.

Ky ishte fjalimi i tij i parë, që kur çifti thanë se donin të hiqnin dorë nga të qenit mbretërorë me kohë të plotë.

Në fillim të këtij muaji, Princi Harry dhe Meghan thanë se ata synonin “të tërhiqeshin si anëtarë të Familjes Mbretërore dhe të punonin për t’u bërë të pavarur financiarisht”.

Si pjesë e një marrëveshje të finalizuar të shtunën midis Mbretëreshës dhe çiftit, Harry dhe Meghan ranë dakord se ata nuk do ta përfaqësojnë më zyrtarisht monarkun.

Nga pranvera, ata do të ndalojnë së përdoruri titujt e tyre dhe do të tërhiqen nga detyrat mbretërore, përfshirë emërimet ushtarake zyrtare.

Sidoqoftë, deklarata e Buckingham Palace thoshte se ata do të vazhdojnë të ruajnë patronazhet dhe shoqatat e tyre private.