Bota Princesha spanjolle izolohet pas infektimit me COVID-19 të shoqes së klasës

Princesha spanjolle izolohet pas infektimit me COVID-19 të shoqes së klasës

Princesha Leonor, trashëgimtare e fronit spanjoll, ka hyrë në karantinë pasi një shoqe e klasës së saj rezultoi pozitive ndaj COVID-19.

Vajza 14-vjeçare e mbretit Felipe do të testohet për koronavirus bashkë me të gjithë nxënësit e tjerë të klasës së saj, në një shkollë të Madridit.

Ndërkohë, mbreti dhe mbretëresha Letizia do të vazhdojnë me axhendën e tyre, bëri të ditur një zëdhënës i familjes.

Lajmi vjen në një kohë kur Spanja po përpiqet të vërë nën kontroll valën e re të rasteve me COVID.

Rreth 8 milionë fëmijë spanjollë u kthyen në shkolla javën e kaluar, por disa e ndoqën mësimin me dyer të mbyllura ose u dërguan në shtëpi pas konstatimit të disa rasteve me coronavirus.

Ndërkohë, në rajonin e Galicias autoritetet e shtynë nisjen e mësimit për disa javë për nxënësit e moshave nga 14 deri në 18 vjeç.

Spanja raportoi mbi 4 mijë e 700 raste të reja me COVID ditën e premte, duke e çuar totalin mbi 566 mijë, më i larti në Evropën perëndimore, ndërsa totali i vdekjeve u rrit mbi 29 mijë.