Bota Princi Charles: Nuk jam budalla që të ndërhyj në politikë kur të...

Princi Charles: Nuk jam budalla që të ndërhyj në politikë kur të bëhem mbret

Shpërndaje

Princi Charles i Britanisë së Madhe tha se ai nuk ishte aq budalla që të vazhdonte të fliste për çështje polemizuese publike pasi ai të bëhet mbret, dhe e bëri këtë në një intervistë të rrallë për rolin e tij të ardhshëm.

Djali i madh i Mbretëreshës Elisabeth II, i njohur zyrtarisht si Princi i Uellsit, është parë prej kohësh si ndërhyrës për shkak të lobimit të tij privat mbi një varg subjektesh, nga arkitektura deri tek ambienti. Por, ai tha për BBC-në, në një dokumentar për ditëlindjen e tij të 70, se nuk kishte ndër mend të bëhej një mbret që do t’i fuste hundët kudo.

“Unë e kuptoj se është diçka tjetër të jesh mbret, ndaj sigurisht unë do të di t’i ndaj gjërat dhe nuk do të vazhdoj me fushatat publike. Sigurisht që nuk jam kaq budalla”, tha Charles.

Familja mbretërore britanike, tradicionalisht ka qëndruar larg politikës, diçka që është perfeksionuar nga mbretëresha 92-vjeçare, që kur ajo u kurorëzua në vitin 1953.

Por, Princi Charles ka lobuar për një seri çështjesh, gjë që është parë në një seri letrash mes tij dhe ministrave qeveritarë. Në vitin 1976, ai denoncoi një zgjerim të planifikuar të Galerisë Kombëtare në Londër, duke e quajtur atë një ndërtesë monstruoze përballë të tjerave, elegante dhe të pëlqyera.

Projekti asokohe u hodh poshtë. Dokumentari i BBC-së, sidoqoftë sjell një Princ Charles ashtu siç nuk është parë më herët, si dhe këndvështrimet e tij për të qenët mbret.

Gjenerata britanikësh nuk kanë njohur monark tjetër përveç Elisabethës, që është e adhuruar nga publiku për mënyrën sesi e ka mbajtur të bashkuar familjen e saj, herë-herë jofunksionale dhe që ka qëndruar gjithnjë mbi rrymat politike.

Princi i Uellsit nuk ka të njëjtin adhurim nga publiku dhe tabloidët publikojnë me raste foto të tij, ku ai nuk duket aspak simpatik.