Extra Princi Harry: Kisha frikë se një histori si ajo me Dianën do...

Princi Harry: Kisha frikë se një histori si ajo me Dianën do të përsëritej

Princi Harry, i cili bëri shtypin pjesërisht përgjegjës për vdekjen tragjike të nënës së tij, princeshës Diana, deklaroi për yllin e televizionit amerikan, Oprah Winfrey se kishte frikë se historia do të përsëritej.

Vendimi i Princit Harry për të lënë detyrat e tij në monarki në fillim të vitit 2020 dhe për t’u vendosur në SHBA me bashkëshorten e tij amerikane, Meghan Markle, ka tronditur monarkinë britanike.

Stacioni televiziv CBS publikoi një pjesë të shkurtër nga intervista “intime” me yllin amerikan Oprah Winfrey, parashikuar për t’u transmetuar më 7 mars në televizionin amerikan.

“Shqetësimi im më i madh ishte se historia po përsëritej”, deklaroi princi 36-vjeçar duke iu referuar vdekjes së nënës së tij, vrarë në vitin 1997 në një aksident në Paris, ndërkohë që po përpiqej t’u shpëtonte paparacëve që po e ndiqnin.

Duka e Sussex-it ka pasur një marrëdhënie të vështirë me tabloidët britanikë dhe ka deklaruar së fundi se presioni i shtypit britanik kishte përkeqësuar shëndetin e tij mendor.

“Jam vërtet i lehtësuar dhe i lumtur që jam ulur aty duke folur me ju me bashkëshorten në krah”, deklaroi princi Harry, duke mbajtur dorën e Meghan, në këtë intervistë.

“Sepse nuk mund të filloj të imagjinoj se si duhet të ketë qenë për Dianën të kalonte këtë proces vetëm gjithë këto vite”, shtoi ai.

“Kjo ka qenë shumë e vështirë për ne të dy, por ne të paktën jemi bashkë”, shton ai.

Princi Harry, 36 vjeç, i gjashti në rendin pasardhës për kurorën britanike ka dënuar disa herë presionin e medias ndaj çiftit dhe kjo ka qenë arsyeja kryesore e tërheqjes së tij nga familja mbretërore, efektive që prej prillit 2020.

Pallati i Buckingham njoftoi më 19 shkurt se çifti do të humbte titujt e fundit, veçanërisht titujt ushtarak të princit me të cilin ai është shumë i lidhur dhe Meghan Markle, ish-aktore, do të humbasë patronazhet e saj bamirëse.

Harry dhe Meghan, me djalin e tyre Archie, jetojnë në një vilë luksoze afër Los Anxhelesit dhe tashmë kanë nënshkruar kontrata me platformat Netflix dhe Spotify.

Çifti njoftoi ditën e Shën Valentinit se ishin në pritje të fëmijës së dytë.