Opinione Prindër të pasur, KUJDES me fëmijët modernë

Prindër të pasur, KUJDES me fëmijët modernë

Nga Erion Muça

Vrasja e një të riu apo vdekja e disa të rinjve dhe nr i shtuar i aksidenteve rrugore e kanë kthyer alarmante situatën e rast vdekjeve në Shqipëri. Në fakt, faktorët apo motivet e kësaj gjendje janë të shumëllojshme dhe të larmishme. Realizimi i një analize të thjeshtë logjike e kronologjike krahasuese të ngjarjeve, rezulton se autorë të tyre kanë qenë dhe janë më së shumti njerëz apo fëmijë njerëzish me pozitë profesionale dhe pasurore.

Ata shpesh janë fëmijë të ledhatuar e tekanjozë njerëzish të pasur që kanë prirje kriminale të lindura, që rriten pa i munguar asgjë dhe abuzojnë nga ky luks. Ata janë jo rrallëherë njerëz të pushtetshëm të biznesit apo individë të marrosur pas parasë e luksit e kujtojnë se bota është e tyre në drejtimin e makinave super luksoze apo duke u endur të shfrenuar në jetën e natës në rrëkëllimin e pijeve të shtrenjta.

A kemi të bëjmë me një problem statistikor?? A kemi të bëjmë me faktin thjesht që ndodhin apo ngushëllohemi me shprehjen që kudo ndodhin të tilla ngjarje?!

E vërteta është se shoqëria shqiptare është në një krizë identiteti social dhe diferencimi të panatyrshëm e shfrytëzues pasuror. Aktualisht tabloja e përqëndrimit të pasurisë në duart e të pasurve rishtaz është e frikshme deri e paimagjinueshme. Në Shqipëri nr i njerëzve me të ardhura mesatare po vjen gjithmonë në zbritje duke u krijuar kështu një hendek dy polësh ekstrem të varfërish dhe shumë të pasurish, një pjesë ekzistues dhe një pjesë të bërë rishtas të tillë. Ky realitet, i plotësuar me doza pamundësie zhvillimi dhe prespektive si dhe me centralizim të ardhurash, po nxit krijimin e njerëzve me fuqi absolute injorance e fodullëku mbi të tjerët. Në këtë mjedis po krijohen “kriminelë të vegjël te dukshëm e padukshëm” mendërisht por të rrezikshëm shoqërisht që i “skërden” e mira.

Në këtë shoqëri po rriten fëmijë që nuk u mungon asgjë e si të tillë, në momentet e mosplotësimit të tekave, ndër shumë të tjera edhe të asaj të nënshtrimit të të tjerëve, të vrasin. Në Shqipëri po rriten fëmijë pa përkujdesjen emocionale të prindërve apo edhe kur ajo është e lartë, vjen e shkon në drejtimin e gabuar. Ata i mësojnë që në djep fëmijëve sidomos në zona urbane, sesi të “shtypin te tjerët” apo rritin egon e një konkurrence jashtë psikozës së moshës së fëmijës. Këto mësime ndërtojnë tek ai, një un radikal me durim inekzistent e që nuk pranon të ndryshmen, e jashtë tij por dhe cilido që del kundër, nuk pranohet, por asgjësohet.

Në fakt janë duke u rritur breza të rinjsh të cilët fatkeqësisht janë në dorën e fatit të sjelljes, veprimeve, karakterit dhe personalitetit të trashëguar të genit, nga pamundësia kohore dhe njohuritë e munguara koherente psikologjike, të mbështetjes prindërore në shoqëritë moderne, siç po klasifikohet vitet e fundit edhe Shqipëria. Janë duke u rritur fëmijë që u injektohen nga prindërit që në vegjëli “shiringa” të shfrytëzimit të mënyrave dhe formave jonormale dhe aspak meritokratike, për mos të thënë kafshërore sesi të luftosh dhe triumfosh ndaj të tjerëve, pa parime, vlera dhe norma në çdolloj drejtimi, njëlloj si në xhungël apo anarki.

Janë duke u rritur “fëmijë modernë pa tru” të cilët nuk logjikojnë por riprodhojnë mekanikisht kopje modelesh snob nga showbizi botëror dhe vendas, duke u shndërruar për modë në abuzues të vetes dhe të tjerëve. Po rriten breza fëmijësh të prindërve të pasur, të cilët i mbajnë dhe trajtojnë si specie unike jashtë një shoqërie gjithpranuese apo si të qenit individë të një shoqërie me rregulla të mirëpërcaktuara të normave dhe vlerave që duhen respektuar.

Po rriten fëmijë të pasurish që nuk lejohen nga prindërit të jenë pjesë e një sistemi promovimi dhe zhvillimi personal dhe profesional, konform dhe bazuar në një konkurrencë mjetesh të njohura dhe mirëpranuara nga të gjithë, ku ai që është më i zoti bazuar në profesionalizëm dhe aftësi individuale duhet të spikasë.

Po rriten individë pa kulturë dhe edukatë për rëndësinë pastaj forcën e ligjit në Shqipëri, i cili akoma nuk po ndëshkon fuqishëm e përbërë shembull. Pavarësisht se familja dhe shoqëria është e pafuqishme për të parandaluar dhe reaguar para këtyre fenomeneve, edhe institucionet e zbatimimit të ligjit nuk kanë penalizuar dhe dënuar, me peshën e rëndë të krimit por kanë ledhatuar e përkëdhelur vazhdimisht autorët e tij me dënime qesharake. Këto vendime e kanë ulur pandëshkueshmërinë këmbëkryq duke përcjellë një motiv më shumë për të vepruar në paligjshmëri.

Po rriten fëmijë të prindërve të cilët bëjnë çdo gjë për fëmijët e tyre duke ndërhyrë tek miqtë dhe të njohurit për ti punësuar, me pretendimin se kështu funksionon duke mos i bërë të zotë e të aftë të vetes për të konkurruar në mënyrë të pavarur për perspektivën e tyre profesionale. Janë duke u rritur fëmijë të panjohur, me sjelljet dhe veprimet e duhura për të ndërtuar raporte sociale jashtë interesit apo qëllimit të përfitimit financiar, por që çdo hap dhe veprim e bëjnë me qasjen, se çfarë fitohet apo se sa shumë fitohet nëse e hedh atë apo këtë hap.

Në fakt, dehja nga paraja e pushteti financiar dhe paaftësia menaxheriale e saj, që është individuale dhe psikologjike tek fëmijët dhe adoleshentët, po rrit numrin e fëmijëve që nuk pranojnë tjetrin, të ndryshmin nga vetja, atë që çdo gjë e ka arritur me mund dhe me djersë e po ashtu e mbron, por të ndjehen inferiorë e bëhen impulsive duke e gjetur zgjidhjen tek arma në brez. Po rriten fëmijë që u blihet 5 vjeç telefoni 1000 euro që të jenë të parët edhe në teknologji nga moshatarët.

Po rriten fëmijë të pasurish të varfër në shpirt që po izolohen në kolegje nga prindërit, brenda dhe jashtë vendit, duke i mbyllur dhe mbajtur larg nga shoqëria dhe vështirësitë me të cilat duhet të përballet, për tu bërë zot i vetes dhe përballuar çdo sfidë që servir jeta. Po rriten fëmijë të pasurish që po mbahen të veçuar dhe të papërfshirë me realitetin e të cilët nuk e njohin të vërtetën reale por atë artificiale dhe nëse dikush i flet dhe e mbron atë, përballet me furinë e mospranimit ekstrem. Po rriten fëmijë që nuk po dihet sesi po edukohen apo po edukohen pasi prindërit vetëm i sigurojnë të ardhurat financiare por që pak po i mbështesin fëmijët e tyre në planin psiko-emocional dhe ate social mbi identifikimin e prirjeve, kultivimin e tyre, mbështetjen morale dhe profesionale, që t`ja dalin mbanë duke qëndruar larg veseve dhe shoqërisë së keqe.

Po rriten fëmijë që ëndrra e tyre është të bëhen të famshëm por duke ndjekur rrugën e konsumimit e tregëtimit të narkotikëve apo alkoolit, duke mbajtur armë në brez e frekuentuar jetën e natës apo edhe të atyre që ndjekin rrugën e paligjshmërisë për të fituar lehtësisht para dhe famë. Ndërgjegjësimi për tu bërë një njeri i mirë dhe një qytetar i denjë po ja lë vendin përdorimit dhe shfrytëzimit të çdo gjëje, që në një kohë të shkurtër të fitosh shumë para, të mos pyesësh për njeri dhe të jesh shpejt dikushi.

Shumë të rinj këmbëngulin shumë me mjete të paligjshme të jenë “i forti lagjes” apo “bobi i zonës” për të cilin të gjithë kanë “respekt” derisa ti vrasin apo përfundojnë prapa hekurave. Po rriten fëmijë të pasur që nuk kanë respekt as edukatë për më të rriturin, pasi kulti i tyre i sjelljes është i paformuar si duhet me fraza apo shprehi komunikimi për të pasqyruar nivel, pasi edhe të folurit me dialekt por më së shumti me zhargon, i jep atyre nuancat e rëndësisë e mirëkuptimit për shoqërinë e “sojit” me të cilët shoqërohet. Ata tallen me profesionistin dhe hallexhiun duke e përbuzur e deri vrarë në punë e kudo sepse e trajtojnë të ulët se punon dhe të pavlerë se siguron jetesën me djersë.

Ata nuk e duan të aftin dhe të zotin pasi sipas tyre zotësia është manipulimi, korrupsioni, vjedhja, shkelja e parimeve vlerave dhe normave, përbuzja e të tjerëve, mashtrimi, harbutëria, dhuna. Ata tallen dhe vënë në lojë të shkolluarin se sipas tyre ai po “zari” i të pasurve do të jetë e asnjëherë si i drejtë që është s`do arrijë aty kudo se nuk e lënë e se nuk mundet me drejtësinë që e karakterizon.

Ata shpërdorojnë para pakufij e kur i harxhojnë, hidhen si “kuçedra” tek mundësitë e paligjshme e pandershme, për ti rifituar ato me krime, drogë, trafiqe dhe gjobëvënie. Ata pyesin vetëm veten dhe janë të papërgjegjshëm si individë të denjë të një shoqërie dhe se parimet, vlerat e normat për të qenë të tillë nuk i kanë të formuara.

Shoqëria jonë duhet të punojë për të ndërgjegjësuar prindërit të jenë mbështetës për ta duke i shoqërizuar që të vegjël, ti nxisin të krijojnë pavarësinë e tyre financiare dhe profesionale që në moshë të hershme. Ata duhet ti edukojnë fëmijët për të qenë të zotët e vetes, e ti sigurojnë të ardhurat me punë dhe me mund, pasi kjo është menyra e vetme që këta fëmijë shpejt të rinj, të njihen me humanizmin e ndjeshmëritë e të qenit njeri i mirë, që lufton ndershmërisht për të qenë një qytetar i denjë i shoqërisë tonë. Nuk e bën rastësia e as paraja një fëmijë apo të ri të mirë por vullneti, dëshira për tu zhvilluar dhe mbështetja ndaj tij.

Prindërit duhet ti nxisin fëmijët të konkurrojnë në mënyrë të drejtë me aftësitë dhe zotësitë e tyre profesionale, e pa ndërhyrje, të mbijetojnë e fitojnë të pavarur, mundësinë e shkollimit dhe punësimit.

Si përfundim, prindërit me mundësi të mira financiare duhet ti mundësojnë lirinë e zgjedhjes në shkollim dhe mbështesin fëmijët e tyre, për të qenë njerëz të ndershëm dhe që ti duan të tjerët, pasi vetëm kështu do ti kenë pranë vetes dhe ndjehen përfundimisht krenare për ta.