Bota Pritej ekstradimi drejt Italisë, por “mbreti i kokainës” arratiset nga burgu

Pritej ekstradimi drejt Italisë, por “mbreti i kokainës” arratiset nga burgu

Bosi i organizatës kriminale kalabreze, ‘Ndrangheta, Rocco Morabito, është arratisur nga burgu në Urugai, ku po priste ekstradimin drejt Italisë.

Shteti amerikano-jugor kishte rënë dakord që të dërgonte në Itali trafikantin e njohur si “Mbreti i kokainës në Milano”. Ai dyshohet se është kreu i ‘Ndrangheta-s dhe qëndronte në arrati prej vitit 1995. Morabito u arrestua në vitin 2017 në Punta del Este, ku jetonte me identitet të rremë për rreth një dekadë.

Sipas vlerësimeve të autoriteteve ‘Ndrangheta kontrollon rreth 80% të tregtisë së kokainës në Europë. Morabito dhe tre të burgosur të tjerë u arratisën përmes një vrime të hapur në tarracën e godinës dhe më pas i grabitën para një personi që banonte në një fermë aty pranë.

“Është tepër e rëndë që një kriminel si Rocco Morabito, kreu i ‘Ndrangheta-s, ka arritur që të arratiset në Uruguai ndërsa po bëhej gati për t’u ekstradua në Itali”, tha ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini në një deklaratë, duke shtuar se “gjuetia ndaj Morabito-s do të vazhdojë, kudo që ai të jetë, për ta dërguar në burg, ashtu siç e meriton”.

Sipas autoriteteve, 52-vjeçari ka qenë organizatori kryesor i trafikimit të qindra kilogramëve kokainë nga Brazili për në Itali.