Bota Probleme kardiake tek të rinjtë, Suedia, Danimarka dhe Finlanda pezullojnë vaksinën e...

Probleme kardiake tek të rinjtë, Suedia, Danimarka dhe Finlanda pezullojnë vaksinën e Modernës

Suedia, Danimarka dhe Finlanda ndërpresin përdorimin e vaksinës së Modernës për grupmoshat më të reja, pas raportimeve për efekte të rralla kardiovaskulare. Agjencia e shëndetit publik në Suedi tha se do të pezullojë përdorimin e vaksinës te personat e lindur pas vitit 1991, ndërsa të dhënat sugjerojnë rritje të rasteve me miokardit dhe perikardit tek të rinjtë e vaksinuar. Miokarditi përfshin inflamacion të zemrës ndërsa perikarditi, inflamacioni membranës që rrethon zemrën.

“Lidhja mes vaksinës dhe problemeve kardiake është e qartë, veçanërisht pas dozës së dytë të vaksinës Moderna”, tha Agjencia e Shëndetit Publik në Suedi.

Danimarka, e cila përdor më së shumti vaksinën e Pfizer për imunizimin e grupmoshës nga 12-17 vjeç tha se kishte pezulluar dhënien e vaksinës Moderna për personat nga 18 vjeç e poshtë. Megjithatë, ekspertët e shëndetësisë theksojnë se rreziku për efekte të tilla anësore është shumë i vogël. Aksionet e Modernës ranë më 4,9 për qind pas njoftimit nga autoritetet në Suedi dhe Danimarkë. Një zëdhënës i kompanisë tha në një e-mail se ishin në dijeni të vendimeve të marra nga rregullatorët në këto dy vende, por shtoi se problemet kardiake e vërejtura tek të rinjtë, ishin kryesisht të lehta.

“Bëhet fjalë për raste të lehta dhe individët janë shëruar brenda një kohe të shkurtër pas trajtimit të duhur. Rreziku për miokardit rritet edhe tek personat që preken nga Covid-19 dhe vaksinimi është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur”, tha zëdhënësi i Modernës.

Si Suedia ashtu edhe Danimarka rekomandojnë përdorimin e vaksinës së Pfizer tek të rinjtë. Sipas një studimi në Shtetet e Bashkuara, djemtë nën moshën 20-vjeçare kanë 6 herë më shumë mundësi të zhvillojnë miokardit pas infektimit me koronavirus se sa ata që janë vaksinuar.