Politika Problemi me mbeturinat, Rama: Në Dhërmi unë zgjoj Jorgon dhe vjen dum-dumi...

Problemi me mbeturinat, Rama: Në Dhërmi unë zgjoj Jorgon dhe vjen dum-dumi bën sikur mbledh plehrat

Kryeministri Edi Rama teksa u dha mesazhin e prerë kryebashkiakëve në të gjithë vendin që të marrin parasysh në buxhetin e vitit të ardhshëm të gjitha kostot që ka pastrimi i territorit që mbulojnë, ka treguar edhe një histori të tij personale në Dhërmi gjatë pushimeve verore këtë vit.

Teksa e cilësoi Bashkinë e Himarës “simboli i të fjeturit gjumë përballë plehut dhe maskarallëkut”, Rama tha se këtë vit, nuk e kanë lënë të dalë për xhiro në Dhërmi që të mos përballet me mbeturinat e papastruara në zonën bregdetare.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Unë s’mund ta konceptoj dot se jam në këtë pikë dëshmitar dhe viktimë si një nga qytetarët e shumtë që në periudhën e pushimeve shkoj në Himarë, në Dhërmi më saktë.

Nuk e konceptoj dot, një pedonale ka Dhërmiu që përshkohet në këmbë.

Sikur Jorgua, Gjergji të çohej vetë në katër të mëngjesit e ta merrte vetë rrugën me një trastë në dorë i mblidhte vetë ato.

Por çohem unë më përpara se sa Jorgua, edhe shikoj mbetjet, zgjoj Jorgon nga gjumi dhe pastaj vjen një dum dum një makineri që nuk e di çfarë vit prodhimi është e bën sikur mbledh plehrat.

Këto janë skena të jetuara në vetë të parë dhe duke qenë se po përgatiteshim për këtë plan më kanë bërë që këtë vit unë mos dal fare vetëm e vetëm që mos përballem me këtë situatë që i thotë të gjitha.

Duke qenë se jeni zgjedhur s’mund dot të bëja transferim të Pjerinit në Himarë e të çoja Jorgon në Lezhë se e para nuk lejohet e dyta puna është të kemi dy si Pjerini jo dy si Jorgua. Të mobilizohemi bashkarisht se ky është turp i përbashkët.