Aktualitet Prodhonin dhe shisnin ilaçe për “shërimin nga koronavirusi”, në pranga dy persona

Prodhonin dhe shisnin ilaçe për “shërimin nga koronavirusi”, në pranga dy persona

Policia e Lezhës ka arrestuar dy persona që prodhonin ilaçe në mënyrë artizanale dhe ia shisnin qytetarëve me pretendimin se do t’i shëronte nga COVID-19.

Blutë ishin njoftuar se “një shtetas që pretendonte se ishte mjek kishte arritur të prodhonte një ilaç që shërbente për t’u shëruar nga COVID-19”. Mbi bazën e këtyre informacioneve u regjistrua procedimi penal pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin” dhe “Mashtrimi” dhe pas dy muaj hetimesh u bë i mundur identifikimi dhe lokalizimi i personit që kryente këtë veprimtari kriminale të rrezikshme në dëm të shëndetit të qytetarëve.

Të arrestuarit janë F. F., 57 vjeç dhe nipi i tij, shtetasi H. F., 30 vjeç, banues në Mamurras.

Shtetasi F. F., nëpërmjet rrjetit social Facebook bënte thirrje për prodhim të substancave për kurimin e virusit COVID-19 nga një përzierje e acidit klorhidrik me H2O, duke pretenduar se me këtë përzierje kishte shpikur ilaçin për kurimin e këtij virusi. Shtetasi F. F., pasi bënte prodhimin e këtyre medikamenteve në kushte artizanale dhe jashtë kushteve laboratorike, në kushte shtëpie, ia jepte shtetasit H. F., i cili, pasi takonte personat e interesuar, ua shiste atyre kundrejt pagesës 20 000 lekë të reja, me premtimin se shëronin COVID-19.