Kryesore PROFIL/ Kush ishte “Zonja Makbeth e Ballkanit”

PROFIL/ Kush ishte “Zonja Makbeth e Ballkanit”

Mira Markoviç, e veja e kryekriminelit të Ballkanit Slobodan Milosheviç, vdiq dje në Rusi në moshën 76-vjeçare.

E njohur si “Zonja Makbeth e Ballkanit”, Markoviç ishte figurë kyçe e politikës gjatë rënies së Jugosllavisë në vitet e ’90.

Ajo ishte personi më i besueshëm tek bashkëshorti i saj, presidenti i asaj kohe që ishte përgjegjës për gjenocid, vrasje, persekutim dhe vuajtje të panumërueshme ndaj popujve shqiptar, boshnjak dhe kroat.

Markoviç kishte qenë e martuar me Millosheviç për katër dekada, dhe ajo ishte hije e burrit të saj, deri në ekstradimin e tij në Hagë, dhe më pas vdekjes së tij atje.

Ndonëse ishte figura më influencuese për bashkëshortin e saj, ajo kishte edhe partinë e saj neo-komuniste, Majtistët e Bashkuar Jugosllav.

Para se të takonte burrin e saj, Markoviç kishte një fëmijëri të trazuar. Nëna e saj ishte luftëtare partizane e cila ishte kapur peng nga nazistët në vitin 1942. Nën efektin e torturës, ajo me gjasë kishte zbuluar shumë sekrete, gjë që kishte bërë babain e saj – gjyshin e Markoviç, ta vriste të bijën për tradhëti.

Në vitin 2003, Markoviç u largua nga Serbia, ku po akuzohej për abuzim pushteti dhe vrasje politike.

Të bashkuar nga fati i familjeve të tyre

Markoviç dhe Millosheviç ishin takuar në vendlindjen e tyre në Pozharevac të Serbisë, dhe u martuan në vitin 1965. Ata që i njihnin, thonin se u bashkuan falë fatit tragjik të familjeve të tyre – të dy prindërit e Millosheviç kryen vetëvrasje, ndërsa nëna e Markoviç u vra nga i ati.

Martesa e tyre solli dy fëmijë, të bijën Marija dhe të birin Marko, i cili ka jetuar me të ëmën në Rusi.

Ndërsa e bija me kohë është shkëputur nga familja dhe ka dashur të ndërroj identitetin, me gjasë për shkak të veprimeve mizore të babait të saj.

Ajo tani jeton në një lokacion të panjohur në Mal të Zi.

Shtriga e Kuqe

Partitë opozitare serbe e kanë quajtur Mirkoviç “Shtriga e Kuqe” për shkak të qëndrimeve të saj politike.

Arsyeja pse ajo iku në Rusi lidhet me hetimet kundër saj, si në rastet e korrupsionit, kërcënimit dhe vrasjes së gazetarëve e kundërshtarëve politik të çiftit.

Krahu i fortë i Millosheviçit

Sipas ekspertëve, Mira Markoviç ka qenë fuqia nxitëse pas presidentit Millosheviç, të cilin ajo e njihte nga koha e gjimnazit. Më vonë Markoviç ka qenë profesore e sociologjisë në Beograd.

Millosheviçi i lindur në vitin 1941 përcaktoi fatet e Serbisë nga viti 1986 deri në vitin 2000. Fillimisht si politikan komunist, më pas socialist e nacionalist ai synoi që të krijonte Serbinë e Madhe me mjete luftarake. Presidenti i parë i Serbisë dhe Jugosllavisë bëhet përgjegjës për luftërat në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë në vitet 1991-1999. Pasoja ishte shkatërrimi i Jugosllavisë.

Millosheviç dhe Mira Markoviç akuzohen për disa vrasje politike të pazbardhura, po ashtu edhe për varfërimin e shtresave të tëra të popullsisë. Millosheviç u dërgua në Hagë, një vit pas kryengritjes popullore në Serbi, por ai vdiq nga infarkti në një qeli të Hagës në vitin 2006 pa u bërë gjykimi.