Politika Projekti i inceneratorëve, Basha: Është i lidhur me Ndraghetta-n. Veliaj nuk do...

Projekti i inceneratorëve, Basha: Është i lidhur me Ndraghetta-n. Veliaj nuk do të shpëtojë nga hetimi

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se shumë shpejt do të rishpalosë planin e detajuar që do të vihet në zbatim nëse opozita të jetë në qeveri, për të anuluar kontratat koncesionare, që, sipas tij, janë korruptive.

“Çdo kontratë e lidhur në kundërshtim me ligjin, në kushtet e korrupsionit, është e pavlefshme, me efekt prapaveprues. Ne kemi një plan të detajuar, brenda javës së ardhshme do ta rishpalosim këtë plan. Që nga ngritja e strukturës së veçantë shtetërore që do të shqyrtojë kontratat, kriteret që do të ndiqen, vënia para përgjegjësisë e autorëve dhe gjetja e parave të shqiptarëve”, tha Basha.

Gjobat për maskat – Sa i përket gjobave për mosmbajtjen e maskave të fytyrës, të cilat janë të detyrueshme edhe në ambientet e jashtme, Basha tha: “Gjobat për Edi Ramën janë një mjet për të mbushur buxhetin, ky është një shtet gjobëvënës. Aq sa luftohet Covid-19 me autoblinda, aq luftohet edhe me gjoba. Asnjë masë e paligjshme e vënë nga Rama nuk do të njihet”.

Plehrat – Kreu demokrat foli edhe një herë për çështjen e inceneratorëve, duke thënë se me planin e tij, të anuluar nga socialistët, çmimi i përpunimit të plehrave ishte shumë më i ulët. “Kosto e përpunimit të mbetjeve në Sharrë sipas projektit tonë do të ishte 12 euro/ton, ndërsa sot është 29 euro. Projekti ynë ishte i studiuar nga Banka Botërore dhe GIZ, i konsultuar me grupet e interesit dhe qytetarët”, tha ai. “Projekti i inceneratorëve është i pakonsultuar, i kritikuar nga partnerët dhe i lidhur me Ndraghetta-n, sipas prokurorisë italiane”.

Kreu i PD-së përsëriti planin e tij për një çek 1000 euro për biznesin e vogël për daljen nga kriza.

“Është e qartë se përpara kemi një grup të strukturuar kriminal i cili po e lë me qëllim pandeminë të përparojë, po e lë me qëllim krizën të përparojë në mënyrë që këto para që sot mund të shërbenin për të forcuar shëndetësinë, për të forcuar kujdesin ndaj njerëzve në nevojë dhe për të ndihmuar njerëzit në nevojë, t’i vjedhë dhe t’i gllabërojë. Dhe këto janë llogaritë e grupit të strukturuar kriminal të Edi Ramës”, tha Basha, sipas të cili kryeministri nuk ka plan për pandeminë dhe as për ekonominë.

Hetim për Veliajn- Sa i përket akuzave të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Basha tha: “Për të tre gënjeshtrat e vemjes që bëhen për të shmangur vëmendjen nga aferat e tij dhe të shefit të tij është dorëzuar padi në prokurori. Për të tre aferat e inceneratorëve, fytyra dhe zëri i gënjeshtrës nuk do të shpëtojnë nga hetimi dhe ndëshkimi. Do t’i gjurmojmë të gjitha paratë e drogës të pastruara në ndërtimet shumëkatëshe në Tiranë”.