Aktualitet Projektligji për Mbrojtjen Civile, Rama: Masat parandaluese, të detyrueshme për shtetin dhe...

Projektligji për Mbrojtjen Civile, Rama: Masat parandaluese, të detyrueshme për shtetin dhe privatin

Ministria e Mbrojtjes ka prezantuar sot reformën e re strukturore dhe organizative për mbrojtjen civile.

Ky projektligj i ri do iu shërbejë komuniteteve që mund të përballen me fatkeqësi natyrore. Gjatë fjalës së tij kryeministri Edi Rama tha se projektligji për Mbrojtjen Civile ka kaluar në një nivel tjetër dhe se provat kanë qenë përpara syve për një ndryshim të ndjeshëm në qasje dhe në efektivitetin e reagimit të shtetit në kushtet e emergjencave.

“Është fat që në momentin e parë të transferimi të Emergjencave Civile nga Ministria e Brendshme tek ajo e Mbrojtjes, edhe pse me një bazë ligjore të pamjaftueshme edhe pse në kushtet më shumë improvizimi dhe vullneti të madh se sa logjistike dhe mundësish të mjaftueshme, kemi pasur rezultat shumë inkurajuese. Kjo besoj edhe falë të trupave të angazhuara në momentet dramatike të Emergjencave Civile, drejtuesve të tyre dhe gjithë elementëve përbërës në këto operacione të vështira. Për më tepër Ministria e Mbrojtjes ka qenë e kujdesshme dhe me një qasje strategjike, për të adresuar jo vetëm përgjigjen, por për ta dresuar hap pas hapi edhe parandalimin. Nuk diskutohet që bashkë me transferimin dhe konfirmimin e vullnetit për ta çuar në një nivel tjetër kapacitetin reagues të shtetit ndaj Emergjencave Civile”, tha Rama.

Më pas shefi i qeverisë tha se baza ligjore do të bëjë të mundur që ndaj fatkeqësive natyrore të merren masat për parandalimin e hershëm të tyre, në mënyrë që të garantohet ulja e riskut.

“Kemi një bazë ligjore të gatshme për miratim pas diskutimeve të nevojshme, me reduktimin e zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë. Ministrja e theksoi se këtu sfida mbeten e përditshmja, jo momenti kur emergjenca shfaqet. E përditshmja, si një përpjekje e vazhdueshme për parandalim, për prekjen dhe kurimin e pikave të dobëta dhe lidhjen e hallkave të një zinxhiri që duhet të na garantojë uljen e riskut. Me këtë ligj ka arsye që te jemi optimist se kemi një shpërndarje të qartë të përgjegjësive, kemi një zinxhir të mirëpërcaktuar të roleve dhe kemi po ashtu edhe një bazë për përditshmërinë”, shtoi kryeministri.

Më tej Kryeministri tha se planet për parandalimin e fatkeqësive do të jenë të detyrueshme si pas subjektet shtetërore, ashtu edhe për ato private, duke theksuar faktin se do të ketë sanksione ndaj të papërgjegjshmëve.

“Planet për Emergjencat Civile do të jenë të detyrueshme për subjektet shtetërore dhe private dhe kjo do të lidhet me sanksione të qarta, sikurse përcaktohet në ligj. Nuk mund dot që në përditshmëri, ti hapim gropën vetvetes dhe kur të vijë furtuna, shteti të na nxjerrë nga gropa. Nuk i biem dot shkurt, duke këputur kanalin e shkarkimin e ujërave për të bërë një hyrje me palma ne një lokal dasmash dhe të ankohemi se pse shteti na prishi dasmën. Ligjin e ri e kemi përafruar me atë të Bashkimit Europian”, e mbylli fjalën shefi i qeverisë.