Bota Prokurorët amerikanë: Plan vrasjesh në Kapitol nga “vikingu me brirë” dhe shokët...

Prokurorët amerikanë: Plan vrasjesh në Kapitol nga “vikingu me brirë” dhe shokët e tij

Prokurorët amerikanë besojnë se mbështetësit e Presidentit Donald Trump planifikuan të “kapnin dhe vrisnin zyrtarë të zgjedhur” gjatë pushtimit të Kongresit javën e kaluar, sipas dokumenteve të reja të gjykatës.

Një dokument i paraqitur nga avokatët e Departamentit të Drejtësisë kërkon arrestimin e Jacob Chansley të Arizonës, një konspiracionist i QAnon, i cili u filmua duke qëndruar me brirë në kokë në tryezën e Zv.Presidentit Mike Pence në ambientet e Senatit Amerikan.

“Provat e forta, duke përfshirë fjalët dhe veprimet e vetë Chansley në Kapitol, flasin për qëllimin e protestuesve për të kapur dhe vrarë zyrtarë të zgjedhur të qeverisë amerikane”, thanë prokurorët.

Dokumenti i arrestimit, i shkruar nga avokatët e Departamentit të Drejtësisë në Arizona, detajon shumë nga hetimet e FBI-së ndaj Chansley, duke zbuluar se ai la një mesazh për Pence duke e paralajmëruar se “është vetëm çështje kohe, drejtësia vjen”.

Avokati që përfaqësonte Chansley nuk ishte në dispozicion për koment.

Prokurorët dhe agjentët federalë kanë filluar të ngrenë akuza serioze për dhunë në Kongres, duke përfshirë një çështje kundër zjarrfikësit në pension Robert Sanford, si dhe kundër Peter Stager, i akuzuar për rrahjen e një polici tjetër me një flamur të SHBA.

Ministria e Drejtësisë ka ngritur më shumë se 80 kallëzime penale në lidhje me trazirat.