Aktualitet Prokuroria dorëzon në Gjykatë dosjen për Saimir Tahirin

Prokuroria dorëzon në Gjykatë dosjen për Saimir Tahirin

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dorëzuar sot në gjykatë dosjen për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Gjykata i kishte lënë afat Prokurorisë që të dorëzonte dosjen brenda datës 10 mars.

Pas dorëzimit të dosjes, do të jetë gjykata ajo që do të vendosë nëse çështja do të shtrohet për gjykim me provat e mbledhura nga akuza.

Ish-ministri është hetuar për dy akuza, trafikimin e narkotikëve të kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal, si dhe korrupsionin pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror.

Në lidhje me akuzën e parë, Prokuroria ngre dyshimet se Tahiri ka qenë në dijeni të veprimtarisë kriminale të Moisi Habilajt dhe të gjithë anëtarëve të tjerë të kësaj bande dhe ka siguruar paprekshmërinë e veprimtarisë kriminale të tyre.

Prokuroria ka zgjatur tre herë hetimet për Tahirin në pritje të letër porosive nga Italia, Greqia dhe Mali i Zi për të vërtetuar akuzat ndaj ish ministrit.

Ish-ministri u hetua në masën detyrim paraqitje pas heqjes së masës arrest shtëpie nga gjykata e Apelit për Krime të Rënda.

Gjithashtu ish-ministrit iu kthye edhe pasaporta e cila ishte bllokuar me vendim gjykate.