Aktualitet Prokuroria e kënaqur me buxhetin, PS, PD e LSI debatojnë, por në...

Prokuroria e kënaqur me buxhetin, PS, PD e LSI debatojnë, por në fund e votojnë

Socialistët, demokratët dhe deputetët e LSI-së debatuan ashpër në Komisionin e Ligjeve, por në fund arritën dakordësi për fondet që i jepen Prokurorisë së Përgjithshme në buxhetin e ri.

Edhe Prokuroria është e kënaqur me fondet, ndërsa të gjitha institucionet e drejtësisë i kërkojnë qeverisë t’ju shtojë personelin.

“Ne jemi shumë dakord me buxhetin që na është paraqitur nga ministria e financave. Por kemi vetëm një kërkesë, për rritjen e burimeve njerëzore, konkretisht me 58 punonjës”

PD e LSI bashkë, akuzuan kryetarin Manja për konflikt interesi, pas akuzave të një dite më parë në adresë të prokurorisë.

“Ti zoti Manja dhe deputetët socialistë jeni në konflikt të hapur interesi, sepse dje dolët dhe akuzuat hapur prokurorinë në punën e saj”, deklaroi deputetja e PD-së, Dhurata Çupi.

“Ne duhet të ndajmë sot nëse jemi me prokurorinë apo me krimin. Ndaj ne si opozitë jemi dakord që të plotësojmë të gjitha kërkesat e prokurorisë për buxhet dhe burime njerëzore, në mënyrë që ju të bëni punën tuaj dhe t’i nxirrni prej leckash jashtë të gjithë ata politikanë që kanë lidhje me krimin dhe ti drejtues i seancës s’duhet të ishe fare këtu pas akuzave që hodhe dje në drejtim të prokurorisë”, deklaroi Eduard Halimi.

“S’më tregon ti mua çfarë të them e çfarë të mos them, ok?! Këtu je për të folur për buxhetin. Ti vetë ke qënë në anën e krimit, unë kam qënë në anën e drejtësisë”, reagoi Ulsi Manja.

Megjithatë, mazhoranca dhe opozita u dakordësuan për t’i dhënë organit qendror të akuzës burimet e nevojshme financiare.

“Unë them të emërojmë 10 punonjës, që nga 1 janari të fillojnë punë në Prokurorinë e Përgjithshme dhe të merren me të gjithë ata që merren me politikë, jo vetëm me ne, por edhe administratën shtetërore”, deklaroi deputeti socialist, Bashkim Fino.

“Ne jemi dakord t’i akordojmë gjithçka të nevojshme prokurorisë që të bëjë përfundimisht ndarjen e krimit nga politika”, tha Halimi nga PD.

Buxheti i Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2018 është parashikuar 164 milionë lekë.