Aktualitet Prokuroria kërkon 12 vite burg për Saimir Tahirin

Prokuroria kërkon 12 vite burg për Saimir Tahirin

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dhënë pretencën këtë të martë për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Prokuroria ka kërkuar 12 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar ulet në 8 vite.

I njëjti dënim është kërkuar edhe për Jaeld Çelën, ish-drejtori i policisë së Vlorës, i dyshuar për lidhje me “Habilajt”.

Tahiri akuzohet për “korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “grup të strukturuar kriminal” në kuadër të dosjes “Habilaj”.

Sipas Prokurorisë, Tahiri ka garantuar paprekshmërinë e grupit të Habilajve në trafikimin e sasive të mëdha të drogës drejt Italisë. Katër janë episodet e trafikut të listuar nga Prokuroria. I pari në 25.10.13, ku janë bllokuar 1.6 ton kanabis, 27.2.14, ku janë bllokuar287 kg, 29.7.14 ku janë bllokuar 293 kg dhe 8-9.5.15 ku janë bllokuar 880 kg. Të gjitha të bllokuara në Itali.

Në korrik, Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi gjykimin e shkurtuar për ish-ministrin e Brendshëm, çfarë nuk do të thotë pranim fajësie, por shmangie e shqyrtimit të fashikujve gjatë procesit në themel.