Aktualitet Prokuroria kërkon të konfiskojë pronat e Kelmend Balilit

Prokuroria kërkon të konfiskojë pronat e Kelmend Balilit

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka paraqitur kërkesën në gjykatë për të konfiskuar pronat e Kelmend Balilit, në kuadër të gjykimit ndaj tij për 4 vepra penale.

Sipas organit të akuzës, kërkohet që të konfiskohet truall me sipërfaqe 11.994 m2 në Sarandë, objekti i ish-kampit të pushimit të punëtorëve 4+1 kate me sipërfaqe ndërtimi 1923 m2 dhe sipërfaqe trualli 13.000 m2 apo e njohur ndryshe si “Santa Quaranta” në Sarandë, truall me sipërfaqe 1716.91 m2 në Sarandë, njësi me sipërfaqe 120 m2 dhe 23 apartamente.

Balili, i konsideruar nga mediat greke si “Eskobari i Ballkanit”, akuzohet për trafik droge në formën e grupit të strukturuar kriminal, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, fshehje e pasurisë dhe pastrim parash.

Në nëntor të vitit 2017, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi sekuestro preventive ndaj kompleksit “Santa Quaranta” në pronësi të familjes Balili dhe ndaj disa pronave të tjera të tyre. Këto prona, Prokuroria e Krimeve të Rënda tashmë kërkon t’i konfiskojë.

Kelmend Balili, ish-kreu i Transporteve në Sarandë, u vetëdorëzua në polici më 15 Janar 2019 pas negociatave mes familjarëve të tij dhe drejtuesve të policisë.

Aktualisht, dosja ndaj tij është në gjykim dhe Kelmend Balili ka përfituar gjykim të shkurtuar.